Konflikti mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit vazhdon të përshkallëzohet, ndërsa sot shënohet dita e pestë e sulmeve të ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli ndaj territorit iranian. Në këtë klimë tensioni, një incident i ri ushtarak ka përfshirë edhe Turqinë, pasi një raketë balistike e lëshuar nga Irani u drejtua në kahun e territorit turk, por u shkatërrua në ajër nga sistemet e mbrojtjes së NATO-s.
Ndërkohë në Iran kanë nisur ceremonitë mortore për liderin suprem Ali Khamenei, të cilat do të zgjasin tre ditë. Pas vrasjes së tij, djali Mojtaba Khamenei është shpallur Udhëheqësi i ri Suprem i Republikës Islamike.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, raketa balistike u lëshua nga Irani dhe përshkoi hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë përpara se të drejtohej në kahun e Turqisë. Autoritetet turke bëjnë të ditur se objektivi u neutralizua në ajër nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s, para se të hynte në hapësirën ajrore turke.
Fragmentet e raketës ranë në rajonin Dortyol të provincës Hatay. Sipas autoriteteve, ato janë identifikuar si pjesë e municionit të sistemit të mbrojtjes ajrore që realizoi interceptimin e objektivit në ajër. Nga incidenti nuk janë raportuar viktima apo persona të lënduar.
Në reagimin zyrtar, Ministria turke e Mbrojtjes theksoi se situata po ndiqet me vëmendje nga strukturat e sigurisë dhe se vendi është i gatshëm të veprojë në çdo moment për mbrojtjen e territorit të tij.
“Do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e vendit dhe qytetarëve tanë”, thuhet në deklaratë, ku nënvizohet se Turqia mbetet e angazhuar për stabilitetin rajonal, por nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon sigurinë kombëtare.
Edhe Drejtoria e Komunikimit pranë presidencës turke konfirmoi se institucionet shtetërore janë të vendosura të mbrojnë hapësirën tokësore dhe ajrore të vendit, duke theksuar se çdo veprim do të jetë i menjëhershëm dhe proporcional ndaj zhvillimeve në rajon.
Ndërkohë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë njoftuar se kanë nisur një valë të re sulmesh në disa zona të Iranit, duke e thelluar më tej përplasjen ushtarake që po tensionon gjithë rajonin.








