Një tjetër problem teknik ka prekur sistemet online të institucioneve shtetërore, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e faqeve me domain zyrtar .gov.al nuk po hapen, duke krijuar vështirësi për qytetarët dhe bizneset.
Gjatë ditës është bërë i pamundur aksesimi i institucioneve si Autoriteti i Shërbimit Rrugor, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe institucione të tjera.
Rënia e sistemit ka ndikuar edhe në funksionimin e internetit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ku gjatë ditës janë raportuar ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike. Probleme po raportojnë edhe bizneset, të cilat nuk po arrijnë të fiskalizojnë faturat.
Burime nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e cila hoston këto faqe dhe menaxhon platformën e-albania dhe domain zyrtar gov.al, si dhe administron qendrën e të dhënave qeveritare dhe sistemin e informacionit të shtetit, thanë se disa institucione nuk kanë pasur energji elektrike, ndërsa faqet sipas tyre janë funksionale.
Prej muajsh, si bizneset ashtu edhe individët po hasin probleme me aksesin në faqet qeveritare, në një kohë kur Shqipëria është prezantuar si një model inovativ në digjitalizim, përfshirë krijimin e postit të ministres së parë të Inteligjencës Artificiale.
Për javë të tëra, sistemi self-care, i përdorur gjerësisht nga bizneset, nuk ka qenë funksional, duke penguar aktivitetin e tyre. Vetëm një javë më parë, Sistemi Informatik i Menaxhimit Financiar i Shqipërisë AFMIS nuk funksiononte, duke detyruar Agjencinë e Prokurimit Publik të njoftojë institucionet publike që të pajisen me numër transaksioni për procedurat e prokurimit. Procedura e mirëmbajtjes ka mbetur peng i procedurave të prokurimit që nga korriku i vitit të kaluar.
Ndërkohë, disa tendera të mirëmbajtjes janë anuluar. Mes tyre përfshihet edhe tenderi për internetin, i cili u zvarrit për një kohë të gjatë për shkak të ankimimeve dhe për të cilin Komisioni i Prokurimit Publik dha miratimin në javën e parë të shkurtit. Edhe tenderi i mirëmbajtjes së fiskalizimit është pezulluar disa herë, duke shkaktuar probleme me sistemin self-care.
Situata e përsëritur e mosfunksionimit të sistemeve online ka ngritur shqetësime për qëndrueshmërinë e infrastrukturës digjitale të institucioneve shtetërore.








