Sot shënohen 35 vite nga një prej momenteve më të rëndësishme në historinë moderne të Shqipërisë, rrëzimi i bustit të ish diktatorit Enver Hoxha në qendër të Tiranës. Ngjarja e 20 shkurtit 1991 mbetet një simbol i fortë i fundit të regjimit komunist dhe i kthesës së vendit drejt pluralizmit politik.
Më 20 shkurt 1991, mijëra qytetarë u mblodhën për të shembur simbolin e komunizmit, vetëm pak muaj pasi regjimi që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar krijimin e partive të para opozitare. Rrëzimi i bustit erdhi në një klimë të tensionuar politike dhe sociale, teksa vendi po përjetonte ndryshime të thella.
Ngjarja u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë, të cilët kërkonin heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti. Lëvizja studentore u kthye në një katalizator të revoltës qytetare dhe konsiderohet si një nga momentet më të spikatura që ndikuan drejtpërdrejt në rënien përfundimtare të regjimit komunist në Shqipëri.
Momenti kur statuja u rrëzua në atë ditë të ftohtë shkurti dhe më pas u tërhoq zvarrë nga protestuesit u shndërrua në një akt simbolik të rrëzimit të diktaturës. Pamjet e asaj dite mbeten ndër më domethënëset e tranzicionit shqiptar.
Data 20 shkurt është caktuar si Dita e Kujtesës Kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist, duke përkujtuar jo vetëm një akt proteste, por edhe fundin e një epoke që shënoi thellë historinë e vendit.








