Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Lajmi është bërë i ditur nga Presidenca e Kosovës.
Në letrën e dërguar nga Trump, Kosova përgëzohet për pjesëmarrjen në themelimin e Bordit të Paqes, si dhe për mbështetjen që i ka dhënë përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e çështjeve globale në Ukrainë, Gazë dhe në vende të tjera.
“Teksa marrëdhënia mes dy vendeve vazhdon të rritet, ne mirëpresim zgjerimin e partneritetit përmes bashkëpunimit tregtar dhe investimeve. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë së bashku me Kosovën për të avancuar paqen dhe stabilitetin për të mirën e përbashkët”, thuhet mes të tjerash në letër.
Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën që nga viti 1998, duke mbështetur zhvillimin dhe konsolidimin e institucioneve të saj.
Udhëheqësit shtetërorë të Kosovës kanë theksuar ndër vite se SHBA-ja mbetet partnerja më e rëndësishme e vendit dhe se mbështetja amerikane është jetike për të ardhmen e saj.
Së fundmi, Kosova i është bashkuar nismës së Presidentit Trump, Bordi i Paqes, përmes së cilës SHBA-ja synon t’u japë fund konflikteve në botë.
Megjithatë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së kanë njohur edhe tensione. Disa veprime të Qeverisë paraprake të kryeministrit Albin Kurti, të lidhura me çështje që preknin minoritetin serb, janë konsideruar nga zyrtarë amerikanë si të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Si pasojë, vitin e kaluar SHBA-ja pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, i cili nuk kishte nisur ende. Në javët e fundit, Ambasada amerikane në Prishtinë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se SHBA-ja është e gatshme ta rinisë këtë proces dhe të punojë me Kurtin, i cili javën e kaluar nisi mandatin e tretë si kryeministër.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndër vendet e para që njohën pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008. Aktualisht, shtetësia e Kosovës njihet nga 121 shtete, ndërsa sfidë mbetet mosnjohja nga katër shtete të NATO-s dhe pesë të Bashkimit Evropian, organizata ku Kosova synon anëtarësimin.








