Rasti i fundit i mashtrimit me 40 mijë euro ndaj biznesmenit shkodran Ilir Rexhvela nuk është një ngjarje e re dhe as një skemë e panjohur për autoritetet. I vetmi element i ri në këtë histori është viktima. Autori, metoda, identiteti i rremë dhe mënyra e veprimit janë të njëjtat prej vitesh, të lidhura me emrin e Florian Gjergji, personazh i njohur për dhjetëra raste mashtrimi të kryera nga jashtë Shqipërisë.
Në rastin më të fundit, mashtruesit u paraqitën në aplikacionin Viber duke përdorur emrin dhe autoritetin e kryetarit të Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj. Me justifikimin e një urgjence dhe kërkesës për një borxh të përkohshëm, biznesmenit shkodran Ilir Rexhvela iu kërkuan 40 mijë euro, të cilat u dorëzuan fizikisht pranë aeroportit të Rinasit. Vetëm pas kontaktit të drejtpërdrejtë me Marinajn, viktima kuptoi se kishte rënë pre e mashtrimit dhe bëri kallëzim në polici.
Policia arrestoi disa persona që shërbyen për marrjen e parave, por edhe këtë herë autoritetet dyshojnë se pas skemës fshihet sërish Florian Gjergji, i cili prej kohësh dyshohet se vepron nga Gjermania dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Hetimet tregojnë se kemi të bëjmë me të njëjtën skemë të përdorur vazhdimisht, me të njëjtën logjikë kriminale dhe madje edhe me të njëjtën foto profili të përdorur në aplikacionet e komunikimit.
Ky nuk është rasti i parë dhe as i dyti. Në muajt dhe vitet e fundit, i njëjti personazh ka përdorur identitete të rreme të figurave publike për të zhvatur shuma të mëdha parash nga biznesmenë dhe administratorë.
Në emër të Erion Veliajt, u tentua marrja e 50 mijë eurove nga një biznesmen në Tiranë, rast që dështoi vetëm sepse viktima verifikoi në kohë dhe njoftoi policinë.
Në emër të Taulant Ballës, grupi arriti t’i marrë 100 mijë euro një biznesmeni, ndërsa një tjetër rast mashtrimi u realizua duke u shtirur si Pjerin Ndreu, ku u zhvaten 15 mijë euro.
Skema ka funksionuar edhe duke përdorur emrin e Vilma Nushit, ku një drejtoreshë e biznesit të saj u mashtrua dhe dorëzoi 50 mijë euro, si dhe më herët emrat e Artan Lames dhe personazhe të tjerë publikë. Në të gjitha rastet, komunikimi është bërë përmes aplikacioneve si Signal, Telegram apo Viber, me emra fals dhe pa numra telefoni të dukshëm, ndërsa marrja e parave është kryer gjithmonë fizikisht nga persona të rekrutuar, të cilët më pas bien në prangat e policisë.
Modeli është i njëjtë dhe i pandryshuar. Një figurë publike me autoritet, një kërkesë urgjente për para, një premtim për kthim të shpejtë dhe një takim për dorëzimin cash të shumës. Ndryshon vetëm emri i viktimës dhe shuma e parave. Autori kryesor mbetet i njëjtë dhe vazhdon të operojë nga jashtë vendit, ndërsa Policia e Shtetit përballet shpesh me një rast të ri të së njëjtës skemë mashtrimi.
Një krim i vjetër, një autor i njohur dhe një skemë e konsumuar, ku e re është vetëm viktima e radhës.








