Greqia, Bullgaria dhe Serbia po përmbysen nga zemërimi qytetar. Athina digjet me molotov, Sofja shemb projekt-buxhetin me presion popullor, Beogradi bllokon nyjet kryesore të kryeqytetit. Tre vende të ndryshme, tre shkaqe të ndryshme, por një refleks i përbashkët: njerëzit reagojnë. Protestojnë, përballen, kërkojnë llogari, rrëzojnë vendime, detyrojnë pushtetin të tërhiqet. Shoqëri që nuk e pranojnë dot poshtërimin, padrejtësinë, arbitraritetin. Shoqëri që nuk tremben.
Ndërsa këtu, përtej kufirit, ndodh krejt e kundërta. Shqipëria hesht. Nuk lëviz asgjë. Këtu mund të të vidhet vota, prona, mund të ta shembin shtëpinë brenda ditës, mund të mbetesh në rrugë për një firmë, mund të zhytet vendi në borxhe, taksa, skandale dhe askush nuk reagon. Ky popull është përtypur, degraduar, degjeneruar nga një qeveri që e shfrytëzon frikën si mjet sundimi.
Një regjim që të mbyll dyqanin, të falimenton, të heq licencën, të përplas me gjoba dhe kërcënime. Këtu njerëzit nuk janë të lirë dhe janë në dijeni për këtë, por sërish heshtin. Rrinë kokëulur. Sikur s’ka ndodhur asgjë.
Jo vetëm që me vullnet të plotë qëndrojnë të shtypur, por rikthejnë në pushtet të njëjtët njerëz që i kanë varfëruar, mashtruar, tallur. Një rreth vicioz ku viktima shndërrohet në bashkëpunëtore të abuzuesit.
Grekët dalin në rrugë për një djalë të vrarë para 16 vitesh, nga një polic.
Bullgarët dalin për një buxhet të padrejtë.

Serbët bllokojnë kryeqytetin për skandalet e korrupsionit dhe mungesën e përgjegjësisë.
Ndërsa shqiptarët, të cilëve u janë bërë të gjitha këto bashkë, heshtin. Asnjë revoltë minimale qytetare.
Për ironi, popujt përreth, që dikur i kemi quajtur “armiq”, janë pikërisht ata që na kanë përqeshur me një fjali të vetme, brutalisht të sinqertë: shqiptarët, populli më i nënshtruar, më i frikësuar, më lëpires i perandorisë osmane. Sot, me sjelljen tonë, ne thjesht po e vërtetojmë këtë përqeshje historike. Po e mbajmë gjallë profecinë e tyre. Ata përplasen me pushtetin, ne e puthim dorën që na godet.
Kjo është trashëgimia e një historie të gjatë nënshtrimi, e një mentaliteti të rrënjosur thellë që nga perandoria osmane, e një psikologjie frike që regjimet e mëvonshme e ushqyen me kujdes. Ky vend ka funksionuar gjithmonë me logjikën e pasojës: fol dhe do të të gjejë. Kërko të drejtën tënde dhe do të ndëshkohesh. Këtu protesta ka kosto të lartë personale, profesionale, ekonomike. Dhe pushteti e di. E përdor.
Ndaj edhe sot, kur Greqia, Serbia dhe Bullgaria janë në këmbë për më pak se çfarë kemi përjetuar ne, Shqipëria mbetet e heshtur si një ishull nënshtrimi mes një rajoni që shpërthen. Dhe ky kontrast e poshtëron akoma më shumë shoqërinë tonë: sa më shumë heshtim, aq më shumë tregojmë se nuk kemi dalë kurrë nga roli që historia na ka veshur.
Përballë një rajoni që ngrihet, Shqipëria vazhdon të jetë dëshmia e gjallë se profecia e vjetër e “armiqve” tanë është ende e vërtetë: populli më i nënshtruar mbetet ai që nuk reagon, edhe kur ka çdo arsye të ngrihet.







