Janë publikuar pamjet e atentatit mafioz të ndodhur më 11 nëntor 2025 pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos efektivi i AMP-së, Muçi Shaljani. Videoja, e shpërndarë nga “shteg.org”, tregon momentet e sakta kur autorët hapin zjarr me breshëri automatiku në drejtim të makinës së viktimës.
Sipas pamjeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:20, kur automjeti ku ndodhej Dani, i sapoardhur nga Spanja, u qëllua disa herë nga persona të paidentifikuar. Autorët, të maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjajnë me ato të policisë, kishin ndaluar makinën në vend përpara se të hapnin zjarr. Njëri prej tyre shihet qartë teksa zbret, rimbush armën dhe qëllon sërish në drejtim të sediljes së pasagjerit, ku ndodhej Dani.
Në video duken tre momente të ndryshme të qëllimeve me armë, ndërsa menjëherë pas atentatit, një autokolonë me katër mjete zyrtare kalon pranë vendit të ngjarjes.
Pas të shtënave, autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës. Disa kalimtarë janë afruar më pas për të ndihmuar personat brenda makinës së qëlluar.
Pamjet tregojnë gjithashtu se në zonë ka pasur lëvizje të dendur automjetesh dhe qytetarësh, por fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është prekur nga breshëria e plumbave.







