Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka përgënjeshtruar deklaratën e kryeministrit Edi Rama për rritjen e pensioneve, duke e cilësuar atë si të pavërtetë dhe të pjesshme. Sipas tij, Rama nuk ka folur për pensionin minimal që përfshin shumicën e pensionistëve, por vetëm për një pakicë që ka kontribuar plotësisht në skemën e sigurimeve shoqërore.
“Edi Rama nuk foli për asnjë moment për pensionin minimal. Për zgjedhjet e 11 majit ai ka premtuar që pensioni minimal në Shqipëri do të jetë 20 mijë lekë të reja. Askund nuk ka folur sot për këtë kategori që përbën shumicën e pensionistëve. Kur flet për pensionin 40 mijë lekë pas katër vitesh, i referohet vetëm atyre që kanë mbi 38 vite kontribute, kryesisht punonjës të administratës publike”, shpjegoi Qori.
Ai shtoi se rritja reale e pensioneve për janarin 2026 do të jetë mesatarisht nga 5 deri në 8 për qind. Sipas tij, bonusi i fundvitit aktual do të jetë i fundit që jepet dhe në vitin 2026 nuk pritet shpërndarje e veçantë, pasi ajo shumë do të shpërndahet në mënyrë të barabartë gjatë vitit. “Nëse kjo shumë pjesëtohet për 12 muaj, pensionistët do të marrin rreth 1,300 lekë shtesë në muaj”, theksoi ai.
“Ky fundvit ka për të qenë i fundit ku Edi Rama do të japë bonusin e pensioneve. Në 2026-ën nuk ka për të pasur bonus pensionesh. Praktikisht, ajo masë lekësh që do të jepej në dhjetor, do të pjesëtohet për 12 muaj dhe Rama do të thotë se i rriti pensionet. Në realitet, bëhet fjalë për rreth 1,300 lekë në muaj”, deklaroi kreu i Lëvizjes Bashkë.
Qori vuri në dukje se problemet e sistemit të pensioneve janë strukturore dhe nuk mund të zgjidhen pa luftuar korrupsionin dhe informalitetin. “
Kjo qeveri vjedh miliarda çdo vit dhe janë lekët e pensionistëve. Nuk mundesh edhe të vjedhësh, edhe të rritësh pensionet në mënyrë të qëndrueshme. Për rritje reale duhet të luftohet korrupsioni dhe informaliteti, që sipas të dhënave zyrtare arrin mbi 44%. Po ashtu, duhet të frenohet emigrimi i forcës punëtore, pasi rreth 50 mijë të rinj në moshë pune ikin çdo vit nga vendi”, u shpreh ai.
Në përfundim, Qori theksoi se premtimet e qeverisë për rritje të mëdha të pensioneve janë larg realitetit dhe nuk adresojnë nevojat e shumicës së pensionistëve. Sipas tij, masat aktuale nuk garantojnë një rritje të qëndrueshme, por shërbejnë vetëm për efekte propagandistike.








