Ngjarja e rëndë në Shkallnur të Durrësit, ku 25-vjeçari Marjan Kodheli vrau babain e tij, 69-vjeçar, me thikën e bukës, ka tronditur opinionin publik. Hetimet e para tregojnë se i riu vuante nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa familja kishte refuzuar më herët çdo sugjerim për trajtim psikiatrik.
Babai i të riut kishte deklaruar më herët në spital se “djali nuk ka probleme mendore dhe nuk ka nevojë për kurim”.

Dy vite më parë, mjekja e spitalit ku ishte paraqitur Marjan Kodheli kishte rekomanduar një vizitë tek psikiatri, por familja e kishte refuzuar.
“Mjekja i kishte thënë se duhej të bënte vizitë tek një mjek psikiatër për të vlerësuar gjendjen mendore, por ai dhe familja e tij nuk kishin pranuar”, bëjnë me dije burime nga grupi hetimor.
Nga dëshmia e dhënë para policisë, i riu ka treguar versionin e tij për ngjarjen tragjike.
“Ishim duke ngrënë bukë dhe babai mu turr. Nuk më linte të haja i qetë. Nuk e mbaj mend pse ndodhi, por kemi pasur grindje të vazhdueshme që kur jam kthyer nga Greqia, para gjashtë muajsh. Kam jetuar në Francë, jam me pasaportë franceze. Atje kam qëndruar rreth gjashtë vjet dhe më pas kam shkuar në Greqi, ku kam punuar për gjashtë muaj. Nga Greqia jam kthyer në shtëpi dhe isha i papunë. Kemi pasur debate me babain. Sherri ndodhi teksa hanim drekë. Nuk e di si ndodhi, mora thikën dhe e qëllova”, ka deklaruar ai.

Banorët e fshatit e përshkruajnë familjen Kodheli si të qetë dhe pa konflikte, ndërsa i riu kishte jetuar për vite të tëra jashtë vendit. Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse krimi u krye në gjendje të rënduar psikike.








