Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 të mëngjesit të së hënës në bulevardin “Ismail Qemali” të Vlorës, ku një 17-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike pas përplasjes me një automjet luksoz. Viktima është identifikuar si L. Sh., 17 vjeç.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, përplasja ka qenë fatale dhe i mituri ka ndërruar jetë në vend. Burime nga policia bëjnë me dije se trupi i të riut është dëmtuar rëndë për shkak të goditjes së fortë.

Familjarët e 17-vjeçarit ndodhen në spital dhe shprehen të revoltuar, pasi, sipas tyre, nuk po arrijnë të marrin trupin e të ndjerit, i cili po mbahet për autopsi. “Nuk na japin trupin e djalit. Nuk po marrim asnjë përgjigje nga autoritetet”, janë shprehur ata.
Policia e Vlorës ka njoftuar arrestimin e shoferit që shkaktoi aksidentin tragjik. Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasin H. B., 32 vjeç, banues në Vlorë, i cili po drejtonte një automjet tip “Porsche” në gjendje të dehur. Mbi të rëndojnë akuzat për “Drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
“Në datën 28.10.2025, rreth orës 00:15, në bulevardin ‘Ismail Qemali’, duke drejtuar automjetin tip ‘Porsche’ në gjendje të dehur, shtetasi H. B. është përplasur me motomjetin tip ‘Trinity’, me drejtues një 17-vjeçar, i cili si pasojë ka ndërruar jetë”, thuhet në deklaratën e policisë.
Ndërkohë, gjyshi i viktimës ka rrëfyer me dhimbje momentet pas aksidentit, duke akuzuar institucionet për neglizhencë dhe mungesë reagimi.
“Më është aksidentuar djali i vajzës, jam gjyshi. Mbrëmë në 12 të natës është aksidentuar. Kemi ardhur në morgun e Vlorës, prej 8 orësh. Nuk vjen mjeku ligjor të bëjë punën. Shteti po na kthen shpinën. Nuk vjen as prokurori dhe as mjeku ligjor. 30 policë këtu dhe nuk merr njeri masa. Një makinë na ka vrarë djalin, në bulevardin kryesor, ka ikur me 200 km/orë. Asnjë patrullë policie nuk i ka dalë përpara. Nuk më japin djalin ta shoh, nipi nuk është kriminel,” është shprehur ai.

Sipas gjyshit, i riu po kthehej nga puna në momentin kur ndodhi përplasja fatale. Ngjarja ka tronditur banorët e zonës dhe ka shkaktuar zemërim mes familjarëve, të cilët kërkojnë drejtësi për 17-vjeçarin e ndjerë.








