Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, se ka sajuar një vizitë zyrtare në Bullgari për të shmangur paraqitjen në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku sipas tij do të njihej me akuzat penale ndaj saj.
Në reagimin e tij publik, Bardhi deklaron se Balluku mund ta shtyjë përkohësisht përballjen me drejtësinë, por jo ta shmangë atë.
“Ashtu siç paralajmërova, për të mos shkuar të hënën në SPAK, ku duhet të njihet me akuzën penale për vetëm një nga shumë vjedhje të saj, Belinda Balluku ka sajuar një vizitë në Bullgari. Atje me siguri do të mbajë një ‘masterclass’ për përvojën e saj të pasur me tenderat: si të zhdukësh 50 milionë euro si në tunelin e Llogarasë; si të vjedhësh 180 milionë euro në shit-blerje energjie; si të vjedhësh 5 milionë euro në një digë hidrocentrali, si në rastin e Zadejës; dhe si të avullosh 80 milionë euro me anije termocentral, që s’u vunë kurrë në punë,” shkruan Bardhi.
Deputeti demokrat thekson më tej se “Belinda Balluku mund ta shtyjë edhe pak me akrobacitë nëpër trena dhe avionë, por stacioni i saj fundor do të jetë vetëm një: burgu i grave në Pojskë. Dhe përpara se të mbërrijë në stacionin final, herët a vonë, një ndalesë do ta bëjë së shpejti patjetër në SPAK.”
Sipas Bardhit, vizita jashtë vendit është përdorur si pretekst për të shmangur marrjen në dorë të një akuze penale të përgatitur nga Prokuroria e Posaçme.









