Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Arlind Demushin, autorin e vrasjes së Hajdar Ismajlgecit në Babrru. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 2 tetorit, pas një konflikti që shpërtheu pasi të dy kishin konsumuar alkool në një lokal të zonës.
Sipas hetimeve, 38-vjeçari Demushi goditi me thikë 40-vjeçarin Ismajlgeci gjatë debatit për motive të dobëta, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Viktima u gjet në rrugë pa shenja jete, me plagë të rënda të shkaktuara nga mjeti prerës.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar sot, avokati mbrojtës i Demushit deklaroi se vrasja nuk ka qenë e paramenduar. Ai theksoi se klienti i tij ka vepruar në gjendje të rënduar psikologjike dhe se mes autorit dhe viktimës kanë ekzistuar marrëdhënie të mira më parë.
Pas ngjarjes, Demushi është larguar nga vendi i krimit dhe është parë në një lokal rreth 300 metra më tej, me njolla gjaku në rroba. Më pas është zhdukur nga zona, por u lokalizua dhe u arrestua nga policia pas disa orësh kërkime.