Nëna e vajzës 13-vjeçare që u hodh nga kati i tretë i një pallati në Korçë është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Bëhet fjalë për shtetasen Sonila Dhëmbi, ndaj së cilës hetuesit kanë ngritur akuzën për “shkaktim të vetëvrasjes”.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, hetimet kanë treguar se e mitura ka përjetuar probleme të rënda psikologjike, të shkaktuara nga marrëdhënia me nënën e saj. Për këtë arsye, prokuroria ka vendosur nisjen e procedimit penal ndaj Dhëmbit.
Ndërkohë, 13-vjeçarja ndodhet aktualisht në një qendër të specializuar në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor dhe përkujdesje psikologjike. Fatmirësisht, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë, duke tronditur qytetin e Korçës dhe duke vënë sërish në qendër të vëmendjes problemet e shëndetit mendor tek të miturit dhe rolin e familjes në raste të tilla.