Një tjetër skandal me produktet bujqësore shqiptare ka tronditur tregjet e Bashkimit Europian. Autoritetet kroate kanë bllokuar ditën e sotme një ngarkesë prej 8 mijë kilogramësh speca të kuq djegës nga Divjaka, pasi në to u zbuluan tre preparate bujqësore të ndaluara. Sipas mediave kroate, kjo sasi do të asgjësohet menjëherë.
Alarmi është konfirmuar edhe nga sistemi europian i sigurisë ushqimore “RASFF”, i cili ka njoftuar se në specat e eksportuar nga Shqipëria janë gjetur Formetanate, Acetamiprid dhe Flonicamid. Paralajmërimi është shpërndarë në të gjitha vendet e BE-së ku ishte destinuar ngarkesa, përfshirë Austrinë, Kroacinë dhe Slloveninë. Ishte pikërisht Sllovenia që ngriti e para alarmin duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme nga tregu.
Ky nuk është rasti i parë. Vetëm një muaj më parë, Kroacia refuzoi një ngarkesë pjeshkësh shqiptare për shkak të përmbajtjes së lartë të niklit, ndërsa më herët janë konstatuar edhe mandarina e luleshtrydhe me pesticide të ndaluara, përfshirë ngarkesat e kompanisë “Geri shpk” që kanë përfunduar në tregun vendas.
Lista e skandaleve me ushqimet shqiptare në BE është e gjatë: peshk me parazitin Anisakis, mish derri dhe pule me salmonelë (madje edhe në rrjetin KFC), akullore me oksid etileni kancerogjen, qumësht i prishur nga kompania “Lufra” dhe raste flagrante si minj mbi thasët e miellit në fabrikën “Diamond”.
Megjithatë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i drejtuar nga Olsi Komici, nuk ka dhënë ende asnjë reagim të fortë publik. Ministria e Bujqësisë e Anila Denajt është mjaftuar me justifikime si “mungesë laboratorësh” apo “sekret komercial”, duke lënë konsumatorët të pambrojtur. Eksperti i sigurisë ushqimore, Sokol Abazi, ka paralajmëruar se mbi 35 pesticide kancerogjene qarkullojnë lirshëm në tregun shqiptar, duke shkaktuar pasoja fatale për shëndetin: nga kanceri, te çrregullimet nervore e riprodhuese, deri te dëmtimet e organeve jetike.
Asnjë hetim serioz nuk është hapur deri më sot, asnjë zyrtar nuk është dorëhequr, dhe asnjë garanci nuk është dhënë për qytetarët. Për këtë arsye, kërkohet që SPAK të nisë hetime për aferat e AKU-së dhe Ministrisë së Bujqësisë.
Në mungesë të përgjegjësisë institucionale, qytetarëve u mbetet vetëm të reagojnë përmes bojkotit të produkteve të dyshimta dhe të kërkojnë llogaridhënie. Shqipëria nuk mund të mbetet më një kosh plehrash i ushqimeve të kontaminuara, ndërsa burokratët pasurohen mbi shpinën e popullit.