Një skandal i rëndë financiar ka përfshirë botën e noterëve në Tiranë. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm ka sekuestruar pasuri me një vlerë marramendëse, rreth 3 milionë euro, në pronësi të noteres Sanja Telhallari, vetëm 35 vjeç, si dhe të familjarëve të saj.
Telhallari, e cila prej vitesh ushtron aktivitetin e noterit në kryeqytet, sipas hetimeve të deritanishme ka shfaqur një oreks të pazakontë për pasuri. Nga apartamente në zonat më të shtrenjta të Tiranës, deri te dyqane, poste parkimi dhe një vilë luksoze në kompleks rezidencial, ajo ka kryer një seri transaksionesh të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e saj të ligjshme. Hetuesit kanë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, disa prej tyre me vlerë të lartë tregu, por edhe makina të shtrenjta dhe sende luksoze, që nuk kanë asnjë lidhje me të ardhurat nga aktiviteti i një notereje të zakonshme.
Shumat e investuara për blerjen e këtyre pasurive i kanë habitur edhe prokurorët, të cilët kanë konstatuar një mospërputhje flagrante midis të ardhurave të deklaruara dhe stilit të jetesës që ka ndjekur Telhallari. Në dosjen e hetimit dyshohet se një pjesë e parave ka ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., një emër i njohur për drejtësinë italiane, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar për vepra të rënda penale, mes tyre edhe “Shfrytëzim prostitucioni”, krim për të cilin është parashikuar një dënim deri në 21 vite burgim. Lidhja e një notereje shqiptare me një person të përfshirë në botën e errët të krimit e thellon edhe më shumë dyshimin mbi burimin e pasurive të saj.
Ky rast ka vënë në pikëpyetje të madhe kontrollin mbi profesionin e noterit në Shqipëri. Noterja, që duhej të ishte simbol i korrektësisë ligjore, ka rezultuar të ketë ndërtuar një perandori të tërë pasurie në një dekadë, duke minuar besimin e publikut tek institucionet që supozohet të jenë garanci e ligjit dhe transparencës.
Prokuroria e Tiranës ka vendosur masën e sekuestros preventive për të bllokuar çdo tentativë transferimi apo fshehjeje të këtyre pasurive. Hetimet po vijojnë për të zbardhur të plotë origjinën e fondeve dhe për të përcaktuar nëse pasuria e Telhallarit është produkt i aktiviteteve kriminale të ish-bashkëshortit apo i burimeve të tjera të paligjshme. Prokurori i çështjes, Ndini Tavani, ka lënë të hapur mundësinë e zgjerimit të hetimeve ndaj personave të tjerë të përfshirë.
Ky zhvillim është një tjetër sinjal alarmi se si individë të privilegjuar, në dukje të respektuar dhe të besuar, kanë shndërruar profesionet ligjore në fasadë për pasurime të dyshimta, duke dëmtuar jo vetëm imazhin e institucionit të noterëve, por edhe vetë besimin e qytetarëve te drejtësia.