Për turistët holandezë Perry dhe Annelies, pushimet në Shqipëri morën një kthesë dramatike, kur një aksident i vogël në Gjirokastër u shndërrua në një përvojë traumatike që përfundoi me arrestimin dhe burgosjen e Perry-t. Shkaku? Sipas tij, përplasja ndodhi me automjetin e një zyrtari të lartë lokal.
“Pasi kaluam një javë të mrekullueshme në Shqipëri, java e dytë u kthye në makth,” tregon Perry, i cili po udhëtonte me familjen dhe miq. Ai kujton momentin kur, duke parkuar makinën me qira pranë hotelit, u përplas me një tjetër makinë që ndodhej në këndin e verbër. “U shtanga nga frika,” rrëfen ai. Fillimisht, situata dukej e lehtë, por në pak minuta mbërritën policët dhe disa persona që duket se njihnin drejtuesin tjetër të mjetit. Rruga u bllokua, u bënë fotografi dhe u vendosën pengesa, pa u plotësuar asnjë formular zyrtar dëmi.
Perry thotë se drejtuesi i makinës tjetër reagoi me nervozizëm dhe “filloi të bëhej sikur po i vinin të vjella”, ndërkohë që vetë Perry kaloi testin e alkoolit me rezultatin 0.0. Megjithatë, ai u shoqërua në komisariat me pretendimin se “ishte vetëm për dokumentacionin”. Por më vonë, procesverbali doli i përkthyer vetëm pjesërisht dhe u njoftua se tjetri ishte shtruar në spital në gjendje jo të mirë, gjë që ngjalli dyshime tek ai dhe familja.
Situata agravoi më tej kur Perry u ndalua në qeli. “U detyrova të qëndroja disa ditë i mbyllur sepse ‘viktima’ ishte një politikan i lartë lokal. Ishim të tronditur,” rrëfen ai. Gruaja e tij kontaktoi menjëherë me ambasadën holandeze në Tiranë, e cila ofroi ndihmë konsullore. Perry u transferua me furgon arresti në një qeli të vogël, me shtrat dhe batanije të ndotura, drita që nuk fikeshin dhe zhurmë të pandërprerë nga rruga. “Komunikimi me familjen ndodhte vetëm përmes Google Translate. Disa roje ndjenin keqardhje për mua,” tregon ai.
Pas disa ditësh, gjykata vendosi për lirimin e tij me kusht, duke caktuar 10 ditë burg dhe një garanci prej 5000 euro. Meqë fundjava e vonoi procesin bankar, Perry u lirua të hënën. “Ribashkimi me familjen ishte emocional. Lotët rridhnin pa pushim,” thotë ai.
Përveç kësaj, ai u detyrua të paguante edhe 2000 euro për avokatin, 2500 euro për shpenzimet spitalore të palës tjetër dhe 1500 euro për dëmet dhe tërheqjen e makinës. “Kur avioni u ngrit, kuptova sërish sa shumë vlen liria jote,” rrëfen ai.
Aktualisht Perry është rikthyer në Holandë, por përballet me pasiguri të mëtejshme. Avokati i tij e këshillon të mos paraqitet në gjykimin përfundimtar për të shmangur ndonjë dënim të rëndë dhe humbjen e garancisë financiare. Për fat, rasti i tij nuk përfshihet në marrëveshje ekstradimi mes Shqipërisë dhe Holandës.
Çifti holandez bën thirrje për kujdes të shtuar për turistët që vizitojnë Shqipërinë, sidomos ata që udhëtojnë me makina me qira. “Edhe kur nuk je fajtor, rrezikon të përfundosh në një situatë të tillë,” paralajmërojnë ata. Sipas ANWB-së, Shqipëria është një destinacion gjithnjë në rritje për turistët holandezë, kryesisht për arsye ekonomike.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës i paralajmëron qytetarët se ngasja e makinës në Shqipëri mund të jetë e rrezikshme dhe konfliktet në trafik mund të eskalojnë shpejt. “Shoferët mund të jenë të armatosur. Nëse shkaktoni një aksident, policia mund t’ju mbajë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve,” thuhet në njoftim.