Skip to content
Kryesore

Plagosje me thikë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, imazheristi sulmon infermierin pas një konflikti në punë

· 1 min lexim

Një plagosje me mjet prerës ka ndodhur këtë të martë në ambientet e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pas një konflikti mes dy punonjësve të këtij institucioni shëndetësor.

Sipas të dhënave paraprake, imazheristi Dashamir Çajka, 32 vjeç, ka goditur me thikë kolegun e tij, infermierin Mikel Osmani, 37 vjeç. Dyshohet se shkak i përplasjes janë bërë mosmarrëveshjet në vendin e punës.

Mikel Osmani ka pësuar dy plagë, një në krah dhe një në zonën e brinjëve, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është duke marrë trajtim të specializuar nën kujdesin e mjekëve të spitalit.

Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja. Policia ka nisur një operacion për kapjen e tij, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.