Edi Rama ka shpikur një model të ri të të bërit politikë: del në publik, flet me patos, bën sikur “denoncon” problemet e vendit, por harron se për këto probleme është paguar prej 11 vitesh që t’i zgjidhë. Shqiptarët e paguajnë me taksat e tyre, ndërsa kreu i qeverisë distancohet nga përgjegjësia dhe na bën moral nga podiumi, sikur të ishte analist apo aktivist i thjeshtë.
Rama flet për mungesën e sistemit të adresave pas 35 vitesh, duke ironizuar me shprehjen “Lum ata që kanë Pallatin me Shigjeta”. Por kujt i bën moral? Qytetarëve që e denoncojnë këtë realitet prej vitesh apo mediave që e kanë ngritur këtë problem në mënyrë të vazhdueshme? Kryeministri nuk është spektator i tranzicionit, është aktori kryesor. Në vend që të na tregojë se nuk kemi adresa, duhej të na tregojë pse nuk janë bërë, kush nuk i bëri dhe mbi të gjitha pse nuk i bëri ai vetë gjatë mandateve të tij.
E njëjta hipokrizi përsëritet me “Illyrian Guard”. Rama thotë se kompania e krijuar për policët e dalë në pension u kthye në “jetimore qokash”. Po kush e krijoi atë kompani? Kush i dha tenderë miliona euro? Kush lejoi korrupsionin e rekrutimeve me pagesë dhe dështimin e plotë të strukturës, të refuzuar nga ambasadat e huaja? Vetë Rama dhe qeveria e tij. Nuk mund të bësh sikur denoncon një strukturë që e ke ngritur vetë, duke u larë nga përgjegjësia me disa fjali ironike.
Edhe kur flet për ndërtimet pa leje, kryeministri sërish luan teatër. Ai thotë se policia tani “nuk është më pjesë e problemit, por pjesë e zgjidhjes”. Në fakt, shqiptarët kanë parë ndër vite se çdo institucion i paguar me taksat tona ka mbyllur sytë përballë ndërtimeve të paligjshme, shpesh të mbrojtura nga vetë pushteti lokal dhe qendror i Rilindjes. Pra, nuk është faj i qytetarëve që sot Shqipëria është betonizuar, është faj i një qeverie që i ka pasur të gjitha mekanizmat për ta ndalur këtë fenomen, por nuk e bëri.
Rama e shndërron podiumin në një skenë ku luan rolin e “opozitarit të qeverisë së vet”. Ai na tregon problemet që duhet të na i kishte zgjidhur prej kohësh. Por shqiptarët nuk e kanë zgjedhur Ramën që të dalë e të na denoncojë problemet. E kanë zgjedhur të qeverisë, të mbajë përgjegjësi dhe të ofrojë zgjidhje reale.
Në vend që të drejtojë gishtin te të tjerët, Rama duhet të shohë veten në pasqyrë. Sepse kur kryeministri shndërrohet në komentator të dështimeve të tij, vendi ka humbur jo vetëm një lider, por edhe shpresën për zgjidhje!