Në fshatin Suk 2 të Fierit, fermeri Gramoz Lima, i cili prej 10 vitesh merret me bujqësi, këtë sezon është përballur me një situatë dramatike. Në një sipërfaqe prej 5 dynymësh të mbjellë me trangull dhe domate, ai nuk ka arritur të shesë asnjë kilogram prodhim. Në vend që të përfundojnë në treg, të gjithë trangujt janë hedhur në kanal.
“Pikat e grumbullimit këtë trangull nuk e duan, është pa lek, asnjë kilogram. Na mbetën fëmijët pa bukë. Thonë se është me helme. O shtet, bëji analizat, ndërto laboratorë, mos ndërto vetëm magazina e kioska. Të gjitha lekët e AZHBR-së shkuan në kioska, jo tek ne. Nëse ky prodhim del me helme, shkoj unë në burg”, deklaron Lima.
Ai shprehet se edhe domatet nuk po i sjellin fitim, pasi çmimi i ofruar nga grumbulluesit është shumë i ulët. “40 lekë kjo domate sot, është me cilësi, doli e saktë më paguaj, nuk doli më dërgo në burg tek shokët”, shton fermeri, i zhgënjyer nga situata.
Për më shumë se një javë, Lima priti që tregtarët të interesoheshin për prodhimin e tij, por askush nuk trokiti në derë. Si pasojë, edhe ky prodhim përfundoi në kanal, i përdorur vetëm si ushqim për bagëtitë.
Rasti i tij nuk është i vetmi. Të njëjtat probleme i gjen edhe në zonat bujqësore të Beratit e Lushnjës. Situata është përkeqësuar pasi Kroacia dhe Sllovenia ndaluan importin e frutave dhe perimeve shqiptare, duke konstatuar nivele të larta pesticidesh. Sjellja e disa fermerëve të pandërgjegjshëm e ka kthyer bujqësinë shqiptare nga një sektor me potencial eksporti në një fushë ku prodhimi shpesh përfundon i kalbur në rrugë ose i hedhur në kanal.
Fermerët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të shtetit me kontrolle laboratorike të rregullta, për të rikthyer besimin tek produktet shqiptare dhe për të shpëtuar bujqësinë nga kolapsi.