Tirana duket se nuk ka më asnjë cep të paprekur nga etja për beton dhe kulla gjigante. Pas shkatërrimit të qendrave historike, pas zhdukjes së hapësirave të gjelbra dhe ndërtimit të pandalshëm në çdo bllok të qytetit, tani radhën e kanë fëmijët jetimë. Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”, që për dekada ka qenë strehë për qindra fëmijë pa prindër, do të zhduket nga harta e Tiranës për t’i lënë vendin një kulle të re për oligarkët dhe investitorët privatë.
Ky projekt, i hartuar dhe miratuar nga Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH), synon të transformojë truallin e shtëpisë së fëmijëve në një ndërtim shumëkatësh me funksione të përziera: banesa luksoze, zyra, hapësira tregtare dhe shërbime të tjera që i shërbejnë biznesit. Në dokumentet zyrtare theksohet se trualli në Rrugën e Elbasanit, aty ku sot qëndrojnë jetimët, do të shembet plotësisht për t’i hapur rrugë këtij projekti, ndërsa fëmijët do të zhvendosen në një godinë të re në një tjetër zonë të qytetit.
Në letër, projekti paraqitet si një “marrëveshje sipërmarrjeje”, ku partneri privat merr në dorë një nga pronat më të shtrenjta dhe strategjike të kryeqytetit, ndërsa në këmbim angazhohet të ndërtojë dy godina publike: Korpusin e Inspektoriateve dhe një shtëpi të re për fëmijët “Zyber Hallulli” në rrugën Gramoz Pashko. Por ky “kompensim” është në dukje shumë i vogël përballë vlerës së jashtëzakonshme që ka trualli i lënë në duart e privatëve.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të 31 korrikut 2025, Korporata e Investimeve Shqiptare ka marrë në administrim pronën me sipërfaqe 7,107 m², ku ndodhet aktualisht Shtëpia e Fëmijës. Brenda saj është një ndërtesë 1,411 m², ku prej vitesh jetojnë e rriten fëmijë pa familje. Përveç kësaj prone, në projekt janë përfshirë edhe 2,902.6 m² që i përkasin Inspektoratit Qendror, si dhe një pronë prej 5,219 m² e transferuar për ndërtimin e shtëpisë së re të fëmijëve.
Në pamje të parë, zhvendosja e fëmijëve drejt një zone pranë Kampusit të Studentëve dhe Parkut të Liqenit tingëllon si një alternativë më e shëndetshme, e përshkruar në dokumente si “qytet-kopsht”. Projekti i ri është konceptuar si një kampus i vogël që do të strehojë rreth 40 fëmijë të moshës 6–15 vjeç. Por përtej fjalëve të bukura, realiteti është se jetimët po përdoren si justifikim për të lënë në duar private një truall të artë, në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit, pranë Stadiumit “Air Albania”.
Aty ku për dekada ka qëndruar Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”, aty ku qindra fëmijë kanë kaluar fëmijërinë mes mungesës së prindërve, do të ngrihen kulla gjigante, me apartamente dhe zyra që do të shiten me çmime marramendëse. Dokumentet e projektit e thonë hapur: godina ekzistuese e Shtëpisë së Fëmijës dhe Inspektoriateve do të shemben për t’i hapur vend “një zhvillimi të ri me përdorim të përzier dhe dukshmëri të lartë urbane”. Në përshkrim përmendet mikpritja, argëtimi, tregtia, zyra dhe banimi luksoz, ndërsa fëmijët që kanë jetuar aty për vite me radhë, zhvendosen diku tjetër, larg syve të publikut.
Ky është edhe një rast tjetër që tregon logjikën e betonit që ka pushtuar Tiranën: çdo truall publik në qendër të qytetit është i destinuar të bjerë në duart e oligarkëve, ndërsa institucionet sociale shtyhen drejt periferive. Historia e “Zyber Hallullit” është më dramatikja, sepse këtu nuk flitet për godina pa jetë, por për fëmijë jetimë, për një brez të tërë që ka pasur këtë shtëpi si strehë të vetme.
Kulla që do të ngrihet mbi truallin e jetimëve pritet të jetë një tjetër simbol i “urbanizimit” të Tiranës, një tjetër monument betoni që pasuron pak duar të fuqishme dhe lë pa rrënjë një histori të gjatë solidariteti. Arkitektët janë udhëzuar të mendojnë se si ndërtesa e re “gjallëron nivelin e rrugës, lidhet me lagjet përreth dhe integron hapësira publike”. Por askush nuk thotë se si do të gjallërohet jeta e atyre fëmijëve që detyrohen të braktisin shtëpinë e tyre historike, për t’u zhvendosur në një zonë tjetër, vetëm e vetëm që oligarkët të marrin truallin e artë pranë qendrës së Tiranës.
A ka më në këtë qytet një vend ku interesi publik dhe fëmijët jetimë të mos sakrifikohen për kulla, beton dhe para?