Ish-oficeri i lartë i Forcave të Armatosura dhe eksperti i sigurisë, Artur Meçollari, ka reaguar ashpër për shkarkimin e tij më herët, duke e cilësuar procesin disiplinor si të manipuluar dhe të lidhur me interesa të fuqishme ekonomike. I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, ai akuzoi drejtpërdrejt anëtarë të komisionit disiplinor për lidhje me prona të ushtrisë.
Meçollari tha se dy prej anëtarëve të komisionit kishin firmosur më parë për transferimin e pronës në bazën detare të Sarandës, ndërkohë që një tjetër kishte nënshkruar që në vitin 2016 për nxjerrjen nga plani i përhapjes së 133 hektarëve nga 200 që zotëronte baza e Forcave Detare. Sipas tij, të dyja çështjet ndodhen aktualisht nën hetim nga SPAK.
“Ushtaraku është betuar për të dhënë jetën për të mbrojtur territorin, por sot përmirësojnë jetën duke dhënë territore. Është një video 13 sekonda që është nxjerrë nga një seancë 5-orëshe e komisionit disiplinor. Tre veta në atë komision kanë lidhje me pronat e ushtrisë. Dy kanë firmosur për bazën detare të Sarandës tre muaj përpara se të ndodhte video dhe njëri ka firmosur në vitin 2016-2017 për nxjerrjen e 133 hektarëve nga 200 të forcave detare”, deklaroi Meçollari.
Ai akuzoi gjithashtu se gjatë procesit janë bërë shkelje të rënda procedurale. Sipas tij, prokurori disiplinor kishte komunikuar me komisionin pa praninë e tij, duke u dhënë udhëzime për mënyrën se si të firmosej largimi i tij nga ushtria. Meçollari shtoi se në një moment komisioni kishte menduar t’i jepte 24 orë kohë për t’u mbrojtur, por vendimi u ndryshua pas ndërhyrjes së ministres.
“Komisioni kishte dhe gjashtë ditë kohë. Vendimi ishte marrë. Madje në një video dëgjohet që thuhet: ‘Ministrja e do të mbyllur sot’”, u shpreh Meçollari.
Ai këmbëngul se largimi i tij lidhet drejtpërdrejt me interesat për pronat ushtarake dhe se do të vazhdojë betejën ligjore për të hedhur dritë mbi këtë çështje.
Reagimi i plotë:
Ushtaraku është betuar për të dhënë jetën për të mbrojtur territorin, por sot, përmirësojnë jetën duke dhënë territore. Ajo është një video 13 sekonda në fakt, por është shkëputur nga një video rreth 5 orë, që është komisioni disiplinor që është ngritur për të më liruar mua nga forcat e armatosura. Tre veta në atë komision kanë lidhje me pronat e ushtrisë. Kanë firmosur. Dy kanë firmosur për bazën detare të Sarandës, 3 muaj përpara se të ndodhte video dhe njëri ka firmosur në vitin 2016-2017, për nxjerrjen nga plani i përhapjes të 133 hektarëve nga 200 hektarë të forcave detare që ka baza.
66% të pronave. Të dyja çështjet janë në hetim në SPAK, i kam çuar unë. Por thelbi qëndron që çfarë shkeljesh ligjore dhe pse kjo video ose pse ky proces ka lidhje me bazën e Limionit. E para, në video po të shikohet me vëmendje nuk është vetëm ky rast, ka edhe raste të tjera. Për shembull: prokurori, ai që quhet oficeri disiplinor hyn në bisedë me komisionin pa prezencën time, dhe sqaron komisionin se si duhet të lirohem unë nga Forcat e Armatosura. Ose, në një moment Komisioni ka idenë që të më japë mua kohë 24 orë për tu mbrojtur dhe pasi vete kryetari i komisionit tek ministrja, atëherë i thotë: Jo nuk do të bëhet, nuk do ti japim kohë… madje i kërcënon e i thotë: ju veni me kryetarin apo jo. Apo video që thotë: Ministrja e do të mbyllur sot.