Papa Leoni XIV feston sot 70-vjetorin e lindjes, një moment simbolik që shënon edhe ditëlindjen e tij të parë në krye të Selisë së Shenjtë. Përkundër moshës, profili i tij papnor po dallohet për energji të pazakontë, ritëm të lartë pune dhe një angazhim të vazhdueshëm në skenën ndërkombëtare.
Që nga Papa Gjon Pali II në vitin 1990, asnjë Papë nuk ka mbushur 70 vjeç në fillim të pontifikatit të tij. Megjithatë, Leoni XIV nuk ka shfaqur asnjë shenjë lodhjeje. Prej 8 majit, kur nisi papatin, ai ka qenë aktiv në promovimin e një mesazhi të fuqishëm për paqe, duke kundërshtuar hapur konfliktet në Ukrainë, Gaza dhe pjesë të Afrikës. Në vetëm katër muaj, ai ka bërë dhjetëra apele kundër luftës, duke ofruar Vatikanin si hapësirë neutrale për dialog.
“Duhet të shohim njëri-tjetrin në sy” është një nga thirrjet më të komentuara të tij, që mishëron qasjen e tij për një paqe të çarmatosur. Diplomacia vatikanase, edhe pse diskrete, ka qenë tepër aktive përmes kontakteve të rregullta me liderë botërorë.
Në planin e brendshëm, Papa Leoni XIV po përpiqet të zbusë ndasitë brenda Kishës Katolike.
Ndër urimet e shumta për ditëlindjen, më prekësja erdhi nga vizatimet e fëmijëve të shtruar në spitalin pediatrik “Bambino Gesù” në Romë, mesazhe të sinqerta dhe plot ngjyra, që pasqyrojnë shpresën për paqe, të cilën Papa e predikon përditë.