Numri i të punësuarve në sektorin publik ka shënuar një rekord të ri historik, duke ngjallur debate për mënyrën se si qeveria po përdor administratën shtetërore në prag të zgjedhjeve.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, në tremujorin e dytë të këtij viti në shtet ishin të punësuar 185,734 persona, me një rritje prej rreth 2400 punonjësish krahasuar me një vit më parë. Ky është niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 2002. Por ndryshe nga atëherë, kur Shqipëria kishte mbi 3 milionë banorë, sot popullsia ka rënë në 2.36 milionë, duke e bërë raportin e të punësuarve në shtet më të lartë se kurrë pas viteve ’90. Në vitin 2002 kishte 1 punonjës për çdo 16 banorë, ndërsa aktualisht ky raport është 1 për çdo 12 banorë.
Ekspertët e konsiderojnë këtë një shenjë të qartë të fryrjes artificiale të administratës për arsye politike. Punësimet masive në shtet, të shoqëruara me rritje të shpenzimeve për paga, shihen si një instrument i qeverisë për të siguruar mbështetje elektorale. Në raportin paraprak për zgjedhjet e 11 majit, vëzhguesit ndërkombëtarë vunë në dukje se punonjësit e sektorit publik u vunë nën presion, ndërsa raportimet për këto presione ishin “të gjithëpërhapura”.
Nga ana tjetër, shtimi i administratës ka rënduar ndjeshëm mbi financat publike. Ministria e Financave raportoi se vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, fatura e pagave për sektorin publik është rritur me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që të ardhurat buxhetore janë rritur vetëm me 6.7%. Ky disbalancë ngre pikëpyetje të mëdha mbi qëndrueshmërinë fiskale dhe përdorimin e drejtë të taksave të qytetarëve.
Rritja e paprecedentë e punësimeve në shtet, në një kohë kur popullsia është tkurrur ndjeshëm, po shihet si një tregues i përdorimit të administratës publike jo për shërbim ndaj qytetarëve, por si armë elektorale e qeverisë në pushtet.
/BIRN