Një histori e pazakontë ka bërë bujë në Brazil: një biznesmen miliarder, i cili ndërroi jetë më herët këtë vit, ka lënë të gjithë pasurinë e tij futbollistit Neymar Jr., pavarësisht se dyshja nuk janë takuar asnjëherë.
Sipas dokumenteve të gjykatës në Porto Alegre, testamenti u formalizua dhe u autentikua më 12 qershor me praninë e dy dëshmitarëve. Pasuria e miliarderit arrin në rreth 6.2 miliardë realë brazilianë, ose afërsisht 1.1 miliardë dollarë. Kjo shumë e jashtëzakonshme do të kalojë e gjitha në emrin e sulmuesit 33-vjeçar.
Në shpjegimin e tij, i ndjeri kishte lënë disa rrëfime prekëse për arsyet pse vendosi të zgjidhte Neymar-in si trashëgimtar:
“E pëlqej Neymar-in, identifikohem shumë me të. Edhe unë vuaj nga shpifjet dhe jam shumë familjar. Marrëdhënia e tij me të atin më kujton timen me babanë që nuk jeton më,” thuhej në testament.
Ai shtonte më tej: “Shëndeti im nuk është i mirë, nuk kam kujt t’i lë pasurinë. Nuk dua që qeveria apo të afërmit me të cilët nuk kam marrëdhënie ta trashëgojnë. Më duket se Neymar është njeri që nuk ka etje për para, një gjë e rrallë në ditët e sotme.”
Mediat vendase raportojnë se biznesmeni ishte beqar dhe pa fëmijë. Edhe pse trashëgimia mund të përballet me sfida ligjore, nëse mbetet e vlefshme, ajo do ta bëjë Neymar-in një nga sportistët më të pasur në botë. Aktualisht, pasuria e tij neto vlerësohet në 300–330 milionë dollarë, të ardhura nga kontratat gjigante, sponsorizimet dhe periudha në Pro League të Arabisë Saudite me Al-Hilal.
Neymar, i cili këtë vit u rikthye te Santos FC, klubi ku nisi karrierën, e ka quajtur gjithmonë këtë rikthim një kthim në rrënjë: “Jo thjesht skuadra ime, por shtëpia ime, historia ime, jeta ime.”
Ky gjest i pazakontë, ku një pasuri miliardëshe i lihet një personazhi publik pa lidhje familjare apo miqësore të drejtpërdrejtë, është konsideruar një nga trashëgimitë më të çuditshme të regjistruara ndonjëherë në Brazil.