Shqipëria renditet vendi me prevalencën më të lartë të pamjaftueshmërisë ushqimore në Europë për periudhën 2022–2024, sipas të dhënave të Programit të Kombeve të Bashkuara për Ushqimin (FAO). Në hartën globale të FAO-s, Shqipëria shfaqet me të njëjtin nivel problematik si Ukraina, një vend i përfshirë prej vitesh në luftë, duke u veçuar si rasti më i rënduar në kontinent.
Ndërsa shumica e vendeve europiane e kanë çuar pothuajse në zero përqindjen e popullsisë që nuk arrin të sigurojë ushqim të mjaftueshëm, Shqipëria paraqitet me një ngjyrë të errët në grafikun e FAO-s, duke treguar se ushqyerja jo e mirë mbetet ende një problem i prekshëm. Prevalenca në vendin tonë përllogaritet rreth 5.4% të popullsisë, vëren Monitor, shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, ku ky tregues është nën 2% dhe shpesh i papërfillshëm.
Në vendet fqinje, si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo Greqia, fenomeni nuk figuron fare në statistikat e FAO-s, duke treguar se aksesi në ushqim është i qëndrueshëm dhe siguria ushqimore nuk përbën problem.
Shifrat tregojnë gjithashtu një prirje rritëse gjatë dekadës së fundit. Në periudhën 2014–2016, prevalenca e pamjaftueshmërisë ushqimore në Shqipëri ishte 4.5% dhe qëndroi pothuajse e pandryshuar për disa vite. Por pas vitit 2019–2020, fenomeni mori trajektore rritëse, duke u ngjitur nga 4.3% në 5.4% për vitet 2020–2021, në 5.8% për 2021–2022 dhe duke arritur nivelin më të lartë prej 6.2% në periudhën 2021–2023.
Në periudhën më të fundit, 2022–2024, ky tregues u ul sërish në 5.4%, duke shënuar një përmirësim të lehtë, por që mbetet ndjeshëm më i lartë se mesatarja e viteve të mëparshme dhe dukshëm më i rënduar se tek fqinjët.
FAO thekson se Shqipëria jo vetëm që nuk ka bërë progres domethënës, por rrezikon të thellojë edhe më shumë hendekun me vendet e tjera europiane, të cilat e kanë çuar këtë fenomen drejt zhdukjes, duke e lënë vendin tonë si një “pikë të errët” në hartën e sigurisë ushqimore të kontinentit.