Pas një dite të tërë alarmi, kërkimesh dhe dyshimesh të forta, ish-zëvendësdrejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, është kthyer papritur pranë familjes së tij në orët e para të mëngjesit. Ai ka deklaruar në polici se ishte larguar në jug pas një sherri me të dashurën, duke pretenduar se kishte vepruar me dëshirën e tij, pas mesazhit “Po më arrestojnë” që ai vetë i dërgoi partneres para se të fikej telefoni dhe të humbte çdo kontakt.
Shima u denoncua i zhdukur zyrtarisht nga familjarët, ndërkohë që policia kishte nisur hetimet, kishte sekuestruar kamera sigurie dhe po gjurmonte tabulatet telefonike për ta gjetur. Ndërhyrja e tij e papritur në komisariat me pretendimin se kishte ikur në jug pas një zënke, e bën të gjithë episodin edhe më të dyshimtë.
Kjo histori e paqartë lë hapësirë për hipoteza të shumta. Mund të kemi të bëjmë me një inskenim të qëllimshëm nga vetë Shima për t’i shpëtuar përgjegjësive, hetimeve apo presioneve që e ndjekin prej kohësh, duke nisur nga përfshirja e emrit të tij në dosje tenderash të dyshimtë. Nuk përjashtohen përplasjet me kolegë, por as mundësia që të jetë zhytur në probleme të tjera financiare apo borxhe që e kanë shtyrë në këtë veprim të çuditshëm. Jo më kot, ky episod i ngjan më shumë një skene mashtrimi sesa një zhdukje reale.
Emri i tij ka qenë prej kohësh nën hije skandalesh. Shima u shkarkua menjëherë pas thirrjes së Mirlinda Karçanajt në SPAK në mars 2024 dhe një vit më vonë, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj deklaroi publikisht se ai ishte kërcënuar nga vetë kryeministri për të heshtur mbi tenderat 43 milionë euro të AKSHI-t. Kjo e bën situatën edhe më të ndjeshme, pasi çdo lëvizje e tij është e lidhur drejtpërdrejt me skandale të mëdha financiare dhe presione politike.
Zhdukja e tij e djeshme dhe kthimi i sotëm është një ngjarje që ka të gjitha elementet e një inskenimi, një veprim i qëllimshëm për të manipuluar opinionin publik, për të fituar kohë ose për të zhvendosur vëmendjen nga hetimet që rëndojnë mbi të. Çfarë fshihet realisht pas këtij episodi mbetet të zbulohet, por një gjë është e qartë: ky rast kërkon transparencë të plotë dhe përgjigje urgjente.
Në këtë situatë, roli i SPAK bëhet i domosdoshëm. Ky institucion duhet të hetojë pa vonesë jo vetëm ngjarjen e djeshme, por edhe gjithë prapaskenat e lidhura me të, sepse nuk mund të lihet në ajër një episod që ngre dyshime serioze për inskenime, mashtrime dhe tentativa për t’i shpëtuar drejtësisë. Opinioni publik ka të drejtë të dijë të vërtetën, ndërsa ky rast mbetet një sinjal i fortë alarmi se pas kuintave po luhet një lojë e rrezikshme!