Policia e Vlorës ka goditur një rast të shfrytëzimit të prostitucionit që përfshinte shtetase kineze në lagjen “Uji i Ftohtë”.
Aktiviteti kriminal zhvillohej brenda një apartamenti të marrë me qira, ku disa shtetase ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesës.
Autoritetet identifikuan dhe shpallën në kërkim organizatoren e veprimtarisë, një 36-vjeçare kineze me iniciale M.Y., e dyshuar për “trafikim të personave të rritur”.
Në pranga ranë dy shtetase të tjera kineze, 49-vjeçarja Q.Zh. dhe 42-vjeçarja X.L., të dyshuara për ushtrim prostitucioni. Gjithashtu, u arrestuan dy klientë, një shqiptar 38-vjeçar dhe një italian 25-vjeçar, të cilët morën pjesë në aktivitetin e paligjshëm.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Vlorë po vijojnë punën për kapjen e M.Y. dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.
Materialet procedurale janë dërguar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprime të mëtejshme.