Policia e Lezhës ka arrestuar një 25-vjeçar, Françesko Doçi nga Laçi, i dyshuar si autor i një serie vjedhjesh në lokale, restorante dhe agjenci udhëtimi në zonë. Gjatë kontrollit, ndaj tij u sekuestrua edhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar kokainë.
Operacioni policor i koduar “Last Door”, i zhvilluar në bashkëpunim mes Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Lezhë, ka vënë në pranga Doçin, ndërsa në kërkim është shpallur një tjetër person, 26-vjeçari M.D., i dyshuar si bashkëpunëtor në këto vepra.
Hetimet tregojnë se Doçi dyshohet të ketë kryer vjedhje me thyerje të automjeteve dhe banesave, tentativë vjedhjeje në lokale në lagjet përreth Lezhës, si dhe vjedhje në bare, restorante, agjenci udhëtimi dhe supermarkete në Laç.
Materialet i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.