Mungesa e rojeve të plazhit, kullave të vrojtimit dhe pajisjeve të shpëtimit po rrezikon jetën e pushuesve në vijën bregdetare shqiptare, nga Velipoja në veri deri në Zvërnec të Vlorës. Një vëzhgim i realizuar nga emisioni “Fiks Fare” zbuloi shkelje të shumta të ligjit dhe moszbatim të kushteve të përcaktuara nga një Vendim i Këshillit të Ministrave të vitit 2019.
Ky VKM detyron çdo stacion plazhi të ketë roje plazhi të trajnuar, kulla vrojtimi 3.5 metra të larta, flamuj paralajmërues dhe pajisje shpëtimi. Sipas këtij vendimi, për çdo 80 metra vijë bregdetare duhet të vendoset një vrojtues. Mungesa e këtyre shërbimeve përbën shkak për heqjen e lejes së aktivitetit. Por në terren, situata është krejt ndryshe.
Në fund të qershorit 2025, një pushues humbi jetën në sektorin “Rinia” në Durrës, pikërisht për shkak të mungesës së një roje plazhi. Raste të ngjashme janë regjistruar ndër vite në të gjithë vijën bregdetare, nga Velipoja e deri në Sarandë. Në shumicën e rasteve fatale, shkaku kryesor ka qenë mungesa e ndërhyrjes në kohë nga personeli i shpëtimit.
Në Velipojë dhe Shëngjin, kamera e “Fiks Fare” filmoi mungesën e kullave vrojtuese dhe të rojeve në shumicën e stacioneve. Vetëm pak pika kishin roje, ndërsa në distanca të gjata nuk kishte asnjë formë vrojtimi. Pushuesit shprehën shqetësimin për sigurinë, ndërsa disa punonjës të plazheve pohuan se “ruanin” edhe pushuesit, krahas punës së përditshme. Në disa raste, vetë qytetarët përpiqeshin të kontrollonin situatën, për shkak të mungesës së rojeve të mirëfillta.
Në Durrës, në një segment 2.5 kilometra të gjatë, Fiksi gjeti vetëm 8 kulla vrojtimi, me distanca mes tyre deri në 300 metra, në kundërshtim me VKM-në. Në këto kulla u gjet vetëm një rojë, i cili ndodhej jashtë postit dhe pranoi se mungonin shkallët, flamujt dhe pajisjet e shpëtimit. Sipas punonjësve të tjerë, bashkia kishte kryer vetëm një inspektim gjatë sezonit, pa marrë masa konkrete për mungesat.
Situata nuk ndryshon as në Vlorë, në zonën e Lungomares dhe Zvërnecit. Në Lungomare, shumica e kullave ekzistuese ishin bosh. Në një rast, një pushues i huaj ndodhej në majë të kullës, ndërsa një tjetër punonjës deklaroi se ishte vetë vrojtuesi, “trajnuar nga rruga”. Në disa raste, kishte tabela që njofton mungesën e vrojtuesve, por në momentin e pranisë së kamerës, dikush paraqitej si roje.
Në Zvërnec, situata është e ngjashme. Kullat janë të vjetra dhe pa personel. Pushuesit konfirmuan se nuk kanë parë vrojtues gjatë pushimeve të tyre. Në një lokal, menaxheri pretendoi se plazhi nuk paraqet rrezik pasi është i cekët dhe vrojtuesi është i pranishëm vetëm deri në orën 16:00.
Këto të dhëna ngrejnë alarmin për mungesën e zbatimit të ligjit dhe shpërfilljen e sigurisë së jetës së pushuesve në plazhet shqiptare. Pavarësisht kërkesave të qarta ligjore, institucionet përgjegjëse nuk po marrin masa për të garantuar standardet minimale të sigurisë në vijën bregdetare. Ndërsa pushuesit vazhdojnë të rrezikojnë jetën, përgjegjësia mbetet pezull.