Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në qytetin Wohlen të kantonit Aargau në Zvicër, ku dy adoleshentë kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë. Ngjarja u regjistrua rreth orës 04:45, në një zonë me kufizim shpejtësie prej 30 km/h.
Sipas Policisë Kantonale të Aargaut, automjeti tip Mercedes Benz, i drejtuar nga një 16-vjeçar me origjinë shqiptare, ka humbur kontrollin, ka kaluar përmes një kopshti, ka goditur një pemë dhe më pas është përplasur me murin e një shtëpie. Mjeti luksoz rezulton se i përkiste vëllait të të miturit.
Zëdhënësi i policisë, Bernhard Graser, u shpreh për mediat zvicerane se skenat në vendin e ngjarjes ishin “tronditëse”. Dy pasagjerët, një 16-vjeçar dhe një 19-vjeçar, humbën jetën në vend pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të ndihmës së shpejtë. Një i tretë, gjithashtu 19 vjeç dhe shtetas zviceran, që ndodhej në sediljen e pasme, u transportua në spital në gjendje të rëndë.
Prokuroria publike ka urdhëruar marrjen e mostrave të gjakut dhe urinës nga drejtuesi i automjetit, ndërsa është konfirmuar se ai nuk posedonte një leje drejtimi. Mediat zvicerane raportojnë se të tre të rinjtë ishin banorë të zonës dhe dyshohet se makina po lëvizte me një shpejtësi shumë më të lartë se ajo e lejuara.
Policia dhe prokuroria kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e sakta të këtij aksidenti fatal.