Kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se po zhvillohen hetime intensive për ngjarjet e 21 janarit 2011, me fokus në dy vrasje, tre plagosje dhe pengimin e zbardhjes së të vërtetës.
Në një takim me gazetarët, Dumani bëri të ditur se Prokuroria e Posaçme po ndjek me kujdes vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për rastin e Aleks Nikës, një nga viktimat e protestës. Ai konfirmoi gjithashtu se është administruar një material audio i siguruar nga gazetari Artan Hoxha, i cili aktualisht ndodhet në proces ekspertimi.
“Po kryhen hetime intensive për 2 vrasje, 3 plagosje dhe pengim të zbardhjes sa të vërtetës. SPAK ka parasysh vendimmarrjen e Strasburgut për çështjen Aleks Nika. Është administruar audio e paraqitur nga gazetari Artan Hoxha dhe është në ekspertim”, u shpreh Dumani.
Hetimi për 21 janarin është rihapur nga SPAK një vit më parë, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë që urdhëroi Prokurorinë e Posaçme të shqyrtonte kallëzimin e paraqitur nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e të ndjerit Aleks Nika, njëri prej katër viktimave të asaj dite.
Kujtojmë se kanë kaluar plot 14 vjet nga ngjarja tragjike e “21 Janarit”, një nga datat më të dhimbshme, ku katër persona humbën jetën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Më 21 janar 2011, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj mbetën viktima të protestës së opozitës, tre të vrarë me armë zjarri në harkun e dhjetë minutave dhe një i plagosur rëndë që do të ndërronte jetë pak ditë më vonë.
Opozita e atëhershme, e cila sot është në qeveri, kishte organizuar një protestë para Kryeministrisë, një protestë që degjeneroi në dhunë dhe përplasje.
Ishte ora 14:00, kur protestuesit nisën marshimin nga sheshi “Skënderbej” deri para Kryeministrisë, ndërsa policia kishte ndërmarrë masa për të mos lejuar kalimin e mjeteve.
Turma filloi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, por vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit.
Situata u tensionua kur protestuesit tentuan të hynë në oborrin e Kryeministrisë, ndërsa policia mbrojti godinën. Pasi, filluan të dëgjoheshin të shtëna armësh nga brenda Kryeministrisë, këto të shtëna shkaktuan katër viktimat: Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.
Ngjarja e 21 Janarit mbetet një nga datat më tragjike të demokracisë shqiptare dhe tranzicionit të gjatë dhe të lodhshëm.