Pas një tërmeti shkatërrues me magnitudë 8.8 ballë që goditi brigjet lindore të Rusisë, është shpallur alarm për cunami në të gjithë Oqeanin Paqësor. Tërmeti, një nga më të fuqishmit në 73 vitet e fundit në këtë rajon, ka shkaktuar panik dhe ka vënë në lëvizje autoritetet e dhjetëra vendeve.
Japoni, SHBA, Havai, Guam, Alaskë dhe Zelanda e Re janë vendosur nën paralajmërim për cunami. Valët e para, rreth 30 cm të larta, kanë mbërritur tashmë në veri të Japonisë, në Hokkaido, duke përfshirë disa ndërtesa pranë bregut dhe duke shkaktuar dëme të lehta strukturore. Banorët në zona të rrezikuara si Kamaishi dhe Ishinomaki janë evakuuar drejt pikave të shpëtimit që janë përdorur edhe gjatë cunamit tragjik të vitit 2011.
Ambasada e Shqipërisë në Japoni ka reaguar menjëherë, duke publikuar kontaktet urgjente për të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në territorin japonez, duke u kërkuar atyre të ndjekin me kujdes njoftimet zyrtare dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve vendase.
📧 Email: [email protected]
📞 Telefon: +81 80 4357 2971
📱 WhatsApp: +81 70 9023 3905
Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Emergjencave në Zelandën e Re (NEMA) njoftoi se pjesa më e madhe e vijës bregdetare është në rrezik, duke u kërkuar qytetarëve të qëndrojnë larg bregdetit, porteve dhe zonave pranë detit për shkak të rrymave të forta dhe valëve të papritura.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA (USGS), tërmeti ndodhi në një thellësi prej 18 km dhe pas tij janë regjistruar edhe disa pasgoditje me magnitudë nga 5.4 deri në 6.9 ballë. Autoritetet në Alaskë kanë paralajmëruar se aktiviteti i cunamit mund të godasë Shemya në orën 04:46 pasdite me orën lokale, dhe më pas Adak dhe Saint Paul.
Të gjitha autoritetet në rajon janë në gjendje gatishmërie të lartë, ndërsa situata mbetet e paqëndrueshme dhe po monitorohet në çdo moment.