Një rrjet prostitucioni është zbuluar dhe goditur nga policia në qytetin e Elbasanit, pas disa javësh hetimesh të kryera me metoda proaktive.
Operacioni i koduar “Shame” çoi në arrestimin e 8 personave, mes tyre shtetas të huaj dhe shqiptarë.
Sipas njoftimit zyrtar, dy apartamente të marra me qira ishin përshtatur për aktivitet të paligjshëm seksual.
Dy shtetas kinezë, një burrë 44 vjeç dhe një grua 38 vjeçe, janë arrestuar për “shfrytëzim prostitucioni” dhe “falsifikim dokumentesh në bashkëpunim”. Ndërkohë, tre gra të huaja, dy kineze dhe një braziliane, u ndaluan për ushtrim prostitucioni.
Në pranga ranë edhe tre shtetas shqiptarë, të kapur në flagrancë teksa kishin paguar për shërbime seksuale në këto apartamente.
Po ashtu, janë proceduar penalisht tre persona të tjerë: dy pronarët e apartamenteve, një burrë 46 vjeç dhe një grua 36 vjeçe, si dhe një sanitare 19-vjeçare, të akuzuar për “mbajtje ambientesh për prostitucion”.
Gjatë operacionit, u sekuestruan para në valuta të ndryshme, dokumente identiteti, vula të dyshuara si të falsifikuara dhe 10 celularë. Materialet iu referuan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.