Skip to content
Bota

Papa Leoni zhvillon bisedë telefonike me presidentin e Autoritetit Palestinez

· 2 min lexim

Papa Leoni ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, për të diskutuar rreth situatës dramatike në Gaza dhe dhunës në rritje në Bregun Perëndimor.

Sipas njoftimit nga Vatikani, kjo ishte komunikimi i parë zyrtar mes dy liderëve që prej zgjedhjes së Papës në krye të Kishës Katolike.

Gjatë bisedës, Papa përsëriti qëndrimin e tij për respektimin e plotë të ligjit humanitar ndërkombëtar, duke vënë theks të veçantë mbi detyrimin për mbrojtjen e civilëve, objekteve të shenjta dhe ndalimin e përdorimit disproporcional të forcës, si dhe kundër transferimit të detyruar të popullsisë.

Ai theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e ndihmës për më të prekurit nga konflikti dhe nevojën për lejimin e ndihmës humanitare.

Kjo bisedë ndodhi pak ditë pasi Papa zhvilloi një tjetër telefonatë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, një ditë pas një sulmi ajror izraelit në Gaza që goditi Kishën e vetme Katolike në territor, duke shkaktuar vdekjen e tre personave.

Të dielën, gjatë një fjalimi publik, Papa Leoni dënoi ashpër dhunën dhe e cilësoi luftën në Gaza si një “barbari”, duke përsëritur thirrjen për një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme për konfliktin.

Vatikani mbështet zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez dhe ka njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës që në vitin 2015, përmes një marrëveshjeje zyrtare, duke qenë ndër entitetet e para evropiane që e kanë bërë një gjë të tillë.