Adolfo Macías Villamar, i njohur si “Fito”, është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, ku do të përballet me akuza të rënda për trafik ndërkombëtar droge dhe armësh.
Kreu i bandës famëkeqe “Los Choneros” u arrestua në qershor, pothuajse një vit pas arratisjes së tij spektakolare nga një burg i sigurisë së lartë në Ekuador, ku po vuante një dënim prej 34 vitesh për krime të shumta.
Ekstradimi i tij përfaqëson një zhvillim kyç në luftën ndërkombëtare kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve të trafikut ndërkombëtar. Sipas mbrojtjes, Macías do të dalë para një gjykate federale në Bruklin ditën e hënë, ku pritet të mohojë akuzat ndaj tij.
Si udhëheqës i “Los Choneros”, një grup kriminal me lidhje të drejtpërdrejta me kartelet më të fuqishme të drogës në Meksikë dhe rrjete në Ballkan, Macías dyshohet gjithashtu se ka urdhëruar vrasjen e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio në vitin 2023, atentat që shkaktoi tronditje të thellë brenda dhe jashtë Ekuadorit.
Organizata që ai drejton besohet të jetë përgjegjëse për përshkallëzimin e dhunës në vend, duke e kthyer Ekuadorin nga një destinacion i qetë turistik në një prej vendeve më të rrezikshme të rajonit.
Aktualisht, mbi 70% e kokainës që qarkullon në tregjet ndërkombëtare kalon përmes porteve ekuadoriane, falë pozicionit strategjik të vendit midis Kolumbisë dhe Perusë, dy nga prodhuesit kryesorë të kokainës në botë.
Arrestimi i Macías u bë i mundur në qershor, kur forcat speciale e zbuluan të fshehur në një bunker nën një vilë luksoze në qytetin bregdetar të Mantës. Pas arrestimit, ai u transferua në burgun e sigurisë maksimale “La Roca”. Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, përshëndeti operacionin dhe njoftoi se Macías do të ekstradohej në SHBA.
Autoritetet konfirmuan se të dielën në mëngjes ai u nxor nga qelia dhe iu dorëzua zyrtarisht autoriteteve amerikane. Avokati i tij, Alexei Schacht, deklaroi për Reuters se klienti i tij do të deklarohet i pafajshëm në seancën gjyqësore të së hënës në Bruklin dhe do të mbahet në një burg të përcaktuar nga gjykata, për një kohë të pacaktuar.