Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është prekur nga një helmim ushqimor dhe do të pushojë në shtëpi për tre ditët e ardhshme, njoftoi sot zyra e tij e shtypit.
75-vjeçari u sëmur gjatë natës, ku iu diagnostikua inflamacion i zorrëve dhe dehidratim, duke u trajtuar me lëngje intravenoze.
Megjithatë, ai do të vazhdojë të ushtrojë detyrat e tij nga distanca, duke ndjekur këshillat e mjekëve për rikuperim.
“Në përputhje me rekomandimet mjekësore, kryeministri do të pushojë në shtëpi për tre ditët e ardhshme, ndërsa do të menaxhojë çështjet shtetërore nga aty,” deklaroi zyra e tij.
Netanyahu ka pasur më parë probleme shëndetësore, duke përfshirë vendosjen e një stimuluesi kardiak në vitin 2023 dhe heqjen e prostatës në dhjetor të kaluar, pas trajtimit për një infeksion të traktit urinar.
Gjendja e tij monitorohet me kujdes nga stafi mjekësor.