SPAK, në bashkëpunim me autoritetet zvicerane, ka zbuluar dhe goditur një rrjet të strukturuar kriminal që merrej me trafik droge, pastrim parash dhe një skemë të sofistikuar të transferimit informal të shumave të mëdha parash nga Zvicra drejt Shqipërisë.
Në qendër të këtij hetimi janë tre persona me inicialet E.F, B.F dhe P.K, të cilët, në bashkëpunim me individë të tjerë rezidentë në Luzern të Zvicrës, kanë ngritur që prej vitit 2020 një sistem transferimi të paligjshëm fondesh, i njohur si “Hawala”.
Kjo metodë shmangte rrugët zyrtare bankare dhe lejonte transferimin e miliona eurove, të përfituara nga trafiku i drogës, pa lënë gjurmë.
Skema funksiononte në këtë mënyrë: personat që donin të transferonin para me origjinë të dyshimtë i dorëzonin ato te bashkëpunëtorët e rrjetit në Zvicër. Më pas, përmes komunikimit të koduar, njoftohej personi përgjegjës në Shqipëri, i cili bënte dorëzimin e shumës përkatëse tek marrësi.
Për të fshehur natyrën kriminale të aktivitetit, përdorej një rrjet fasadash, përfshirë zyra këmbimi valutor, agjenci turistike dhe pika të transferimit të parave.
Çdo transfertë i sillte rrjetit një përfitim prej rreth 6% të shumës totale, të ndarë ndërmjet drejtuesve në Shqipëri dhe bashkëpunëtorëve në Zvicër. Përveç këtij aktiviteti financiar të paligjshëm, të dyshuarit akuzohen se kanë qenë të përfshirë edhe në shpërndarjen e lëndëve narkotike në disa kantone zvicerane, duke përdorur persona të tretë për shpërndarje dhe duke siguruar kanale të qëndrueshme furnizimi.
Me kërkesë të SPAK, GJKKO ka caktuar masën “arrest me burg” për të tre të hetuarit:
• E.F, i dyshuar si organizator i rrjetit, aktualisht arrestuar në Zvicër;
• B.F dhe P.K, të ndaluar më 19 korrik në Tiranë.
Ata përballen me akuzat: “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal”.