Sot, Gjykata e Apelit të Posaçëm është tërhequr për të dhënë vendimin mbi kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024 dhe e ka cilësuar arrestimin e tij si një proces me motive politike.
Ai dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, po hetohen nga SPAK për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Gjykata e Apelit të GJKKO-së po shqyrton ankimimin e Metës lidhur me masën e sigurisë, të vendosur më parë nga kjo gjykatë.
Seanca dëgjimore filloi në orën 10:00 dhe pas përfundimit të saj, trupa gjykuese u tërhoq për të marrë vendimin. Më 7 korrik, Meta kishte ankimuar vendimin që e la në burg.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024, ndërsa ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se gjatë 15 viteve të fundit kanë përdorur postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private.
Sipas hetimeve, ata kanë qenë të përfshirë në aktivitete që përfshijnë lobime në SHBA dhe shitblerje banesash, me qëllim përfitimin e shumave të mëdha parash, të cilat tentuan t’i fshehin duke mos i deklaruar pranë ILDKPI dhe KQZ.
Sa i përket Kryemadhit, ajo po hetohet për tri akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Më 23 tetor, gjykata vendosi masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për të njëjtat vepra, e njëjta masë u zbatua edhe për Ema Çokun, gjithashtu e hetuar për pastrim parash.
Ndërkohë, Piro Xhixho, i akuzuar për korrupsion pasiv, pati ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në polici”. Të tre të hetuarit janë urdhëruar të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK, sipas masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.