Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sërish sot në orën 11:00, në përpjekjen e 47-të me radhë për ta konstituuar legjislaturën e re, pas një serie dështimesh që kanë vijuar që nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Që prej datës 15 prill, Kuvendi ka dështuar 46 herë radhazi të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët, duke lënë institucionin më të lartë ligjvënës të bllokuar për më shumë se tre muaj.
Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka dalë e para në zgjedhje, ka propozuar Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit, por ajo nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme nga partitë e tjera.
Në një përpjekje për të zhbllokuar procesin, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka propozuar që votimi për kryetaren të zhvillohet me votë të fshehtë, por edhe ky propozim nuk mori shumicën e kërkuar në sallë.
Ngërçi i zgjatur po mban peng funksionimin e Kuvendit dhe po vonon nisjen e reformave të premtuara gjatë fushatës, ndërsa qytetarët mbeten në pritje të formimit të institucioneve të reja.