Në dëshminë e tij para autoriteteve, Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, ka rrëfyer në detaje reagimin e familjes pas ngjarjes, sjelljen e Naim Murselit pas krimit dhe dëshminë e fëmijëve të Liridonës për natën e vrasjes.
Ademaj tregon se pas transferimit të fëmijëve në Suedi, kishte kërkuar të takohej me ta për të kuptuar më shumë mbi atë që kishte ndodhur:
“Kur kam shkuar në Suedi kam kërkuar që t’i takoj. Fjalët e djalit janë këto: ‘Hajni e ka futur dorën dhe ja ka ba mamit bam’. Po ashtu tregojnë qartë se si Naim Murseli e mbajti për dore në momentin e fundit të vrasjes,” tha ai.
Sipas dëshmisë, fëmijët kanë refuzuar çdo kontakt me babain e tyre që nga dita e largimit drejt Suedisë: “Që nga momenti që fëmijët kanë shkuar në Suedi, ata asnjëherë nuk kanë kërkuar as takim me babin. Të gjitha thirrjet që ja ka mundësuar gjendja për punë sociale me babin e tyre, asnjëherë fëmijët nuk i kanë pranuar. Ka arritur deri aty që fëmijët, në foto ku janë së bashku Naimi me Liridonën, e shkyen me gërshërë Naimin nga fotografia.”
Ademaj ka paraqitur edhe kronologjinë e veprimeve të familjes pas marrjes së lajmit për vrasjen. Ai rrëfen momentin kur tentoi të kontaktonte Naim Murselin: “Të nesërmen në mëngjes jam munduar ta kontaktoj Naimin. Pasi e kam thirrë shoferin, ai më tha që Naimi gjendet në Sëiss Hotel. Jemi nisur së bashku me djalin e agjës, djalin e dajës dhe tezakun. Kur kemi arritur atje, na thanë se Naimi është në dhomë. Ai ishte shtrirë në shtrat, kishte disa sende ushqimore në tavolinë dhe kishte porositur edhe drekën. Nga habia menduam se ishte i frikësuar, dhe kjo është mënyra si e përjeton situatën.”
Përsa i përket identifikimit të trupit të Liridonës, ai shton: “I thashë Naimit a mundemi me shku në morg me e pa Liridonën. Ai më tha ‘jo, nuk na lejohet’. Pas 10 minutash e kam thirrur vetë spitalin dhe u kam thënë se jam vëllai i Liridonës dhe nëse janë kryer të gjitha procedurat, a mund të vijmë me pa trupin. Kemi shkuar në morg, me ne erdhi edhe Naimi me shoferin e tij. Mjeku na tha ‘nëse keni problem, mos hyni’. Aty Naimi tha ‘kam problem me zemër dhe nuk e di a mund ta shoh’. Djali i agjës insistoi që Naimi të vinte. Ai erdhi deri te dera, e pa prej dere dhe nuk hyri brenda.”
Ademaj përmend edhe sjelljen e Naim Murselit në vendin e ngjarjes dhe në ditët që pasuan: “Kur kemi shkuar në vendin e ngjarjes, me ne ishte Naimi dhe shoferi i tij. Aty deshëm të dimë se si ka ndodhur. Naimi filloi ta shpjegojë ngjarjen. Na tha se ka dalë nga ana e djathtë. Pastaj tha: ‘Jo, nuk e di a nga ana e djathtë apo e majtë’. Prapë nuk deshëm të dyshonim dhe jemi nisur për në Gjakovë. Pas nesh erdhi edhe Naimi.”
Ai ndalet edhe te qëndrimi i Murselit gjatë ceremonisë mortore, të cilin e cilëson si të ftohtë dhe pa ndjeshmëri: “Gjatë varrimit ajo që binte në sy më së shumti ishte qetësia e Naimit së bashku me Kushtrimin. Jo nga mërzia që prisnim ne të qanin, por rrinin shumë të ftohtë, po ashtu edhe në raport me mediat që ishin prezent.”
Leonard Ademaj kujton momentin kur familja mësoi për arrestimet: “Nuk kaluan 30 minuta dhe pamë në gazetë se ishte arrestuar Granit Plava. Pas pak minutash morëm vesh edhe për arrestimin e Naim Murselit, pastaj edhe të Kokallës. Për ne ishte tronditës fakti që dyshimet tona u vërtetuan. Por mendja nuk na lejonte të besonim se ky krim ka ardhur nga Naim Murseli.”
Në fund, ai tregon edhe për vendimin për zhvarrosjen e Liridonës dhe rivarrosjen e saj në fshatin Rracaj: “Të njëjtën natë kemi shkuar në polici dhe u thamë se Liridonën do ta zhvarrosim sonte. Policia na tha se është mirë të merret vendimi nga Gjykata. Të nesërmen, dalja ime në media i dha një zë shumë të fuqishëm rastit dhe e bëri më të lehtë zhvarrosjen e motrës sonë. E kemi zhvarrosur në praninë e policisë dhe mjekëve dhe e kemi rivarrosur në fshatin Rracaj, ku edhe hapëm të pamen për të pritur njerëz nga i gjithë populli shqiptar.”
Ngjarja e rëndë ndodhi më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërrnicë, ku Liridona Ademaj u qëllua për vdekje brenda makinës, në prani të dy fëmijëve të mitur.
Fillimisht, rasti u raportua si një “grabitje me pasoja vrasjeje”, por pas dy ditësh, Policia e Kosovës bëri të ditur arrestimin e bashkëshortit të viktimës, Naim Murselit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Murseli kishte organizuar vrasjen në bashkëpunim me nipin e tij, Kokallën, dhe Granit Plavën, i cili ishte i maskuar dhe u shfaq papritur pranë veturës ku ndodhej viktima dhe familjarët.
Murseli kishte ndaluar makinën dhe kishte mbajtur gruan për krahu, duke penguar çdo mundësi që ajo të shpëtonte sulmit.
Pas vrasjes, Murseli mori pjesë në ceremoninë mortore dhe priti ngushëllimet, ndërkohë që dyshohet se ai e kishte porositur vetë krimin.
Hetimet zbuluan gjithashtu se pak muaj para ngjarjes ishte nënshkruar një kontratë sigurimi jetësor në emër të Liridonës, në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, që ngre dyshime për motivin financiar të Murselit.
Përveç vrasjes, Granit Plava akuzohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve, pasi arma e përdorur në krim u gjet në banesën e tij gjatë një bastisjeje dy ditë më vonë.
Ndërkohë, Kokalla përballet me akuza për pjesëmarrje në planifikimin e vrasjes, si dhe për moslajmërim të krimit, pasi Murseli kishte rrëfyer gjithçka para tij në një hotel pas ngjarjes.