Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë pritet të shpallin sot aktgjykimin e shkallës së dytë ndaj Pjetër Shalës, i dënuar për krime lufte të kryera gjatë vitit 1999.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënua në korrik 2024 me 18 vjet burgim, pasi u shpall fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Ngjarjet lidhen me Fabrikën e Metalit në Kukës, në pjesën veriore të Shqipërisë, ku Shala dhe persona të tjerë të UÇK-së dyshohet se mbajtën dhe keqtrajtuan individë të akuzuar për bashkëpunim me forcat serbe apo që nuk ishin pjesë aktive e luftës.
Sipas aktakuzës, të ndaluarit iu nënshtruan dhunës fizike dhe psikologjike, duke përfshirë kërcënime me vdekje, poshtërim dhe forma të tjera të ngacmimit. Megjithatë, Gjykata e shpalli Shalën të pafajshëm për akuzën e trajtimit çnjerëzor.
Përveç dënimit penal, Shala u urdhërua të paguajë një shumë prej 208 mijë eurosh si kompensim për tetë viktima. Mbrojtja apeloi si vendimin penal, ashtu edhe urdhrin për zhdëmtim, por ky i fundit nuk do të përfshihet në vendimin që do të shpallet sot nga Apeli.
Gjykata Speciale, e cila funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por me përbërje ndërkombëtare, u themelua në vitin 2015 për të hetuar krimet e pretenduara të anëtarëve të UÇK-së gjatë periudhës 1998–2000. Ajo ndodhet në Hagë, për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin ndaj drejtësisë në Kosovë dhe sigurinë e dëshmitarëve.
Deri më tani, janë dhënë dy aktgjykime për krime lufte, ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, si dhe dy të tjera për pengim të drejtësisë ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.
Në zhvillim mbetet procesi kundër katër ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.