Skip to content
Kryesore

Plagosje me levë dhe thikë në Vlorë, dy të arrestuar

· 2 min lexim

Dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Vlorës pas dy ngjarjeve të ndodhura një ditë më parë në qytet, ku konfliktet të çastit përfunduan me plagosje të rënda.

Në lagjen “Kushtrimi”, një 23-vjeçar i identifikuar si Olsian Xhanaj ka goditur me levë hekuri në kokë një 33-vjeçar pas një sherri për motive të dobëta.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 dhe viktima u transportua në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Xhanaj u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për “Plagosje të rëndë me dashje”.

Në një tjetër rast, rreth orës 19:45 në lagjen “Uji i Ftohtë”, Edmond Zanaj, 56 vjeç, ka plagosur me thikë një 64-vjeçar pas një konflikti të çastit. Edhe në këtë rast, viktima ndodhet në spital, pa rrezik për jetën.

Zanaj u arrestua dhe do të përballet me akuzat për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.

Policia lokale njoftoi se ndërhyri me shpejtësi për të shmangur përshkallëzimin e konflikteve. Materialet procedurale për të dy rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.