Tregtarët ambulantë në qytetin e Laçit dolën këtë të mërkurë në protestë përpara godinës së Bashkisë së Kurbinit, duke kundërshtuar vendimin e autoriteteve për t’i larguar nga hapësirat ku kanë ushtruar aktivitetin e tyre prej vitesh.
Ata kërkojnë zgjidhje nga autoritetet lokale, duke deklaruar se kanë mbetur pa asnjë mundësi për të siguruar të ardhura për familjet.
“Kam 15 vite që shes rroba në rrugë. Burri është me dializë dhe nuk kemi asnjë ndihmë. Dje më erdhi policia e më tha të largohesha, ndryshe do më hidhnin mallin në kamionçinë. Nuk kemi dalë për qejf, por për bukën e gojës. Bashkia nuk na jep asnjë zgjidhje”, tha një prej protestueseve, e cila mes lotësh kërkonte mbështetje.
Sipas tregtarëve, vendimi për largimin nga rruga u është komunikuar menjëherë, pa asnjë paralajmërim apo ofertë alternative. Ata e quajnë këtë veprim të padrejtë, ndërsa theksojnë se shumë prej tyre mbajnë familje të mëdha dhe janë pa përkrahje ekonomike.
“Kam shtatë vite që punoj aty pranë urës. Shes buzë trotuarit dhe paguaj 180 mijë lekë qira në muaj. Nuk kam as ndihmë sociale dhe as të ardhura të tjera. Ne mbahemi me këtë shitje”, u shpreh një tjetër shitëse ambulante.
Një tjetër qytetar tha: “Kam 16 veta në familje, gruan të sëmurë. Asnjë të ardhur tjetër nuk kemi. Po na heqin dhe këtë mundësi të vetme që na ka mbetur.”
Nga ana tjetër, Bashkia e Kurbinit, përmes Kryeinspektorit të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Jetmir Mzhika, sqaroi se aksioni ka për qëllim lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme, pasi në atë zonë pritet të nisë një projekt rehabilitimi i përroit të qytetit.
“Nuk është qëllimi ynë t’u prishim punë, por tregtarët ambulantë nuk janë të formalizuar dhe zënë trotuaret duke bllokuar lëvizjen. Aty do të kalojnë mjete të rënda ndërtimi dhe nuk mund të lejojmë që të rrezikohet jeta e qytetarëve. Bashkia është duke punuar për një zgjidhje të qëndrueshme, përmes sistemimit të tyre në një treg të ri”, deklaroi Mzhika.
Tregtarët qëndruan disa orë para bashkisë, duke kërkuar një takim me drejtuesit vendorë dhe duke apeluar për ndërhyrje të menjëhershme, në mënyrë që të mos mbeten pa të ardhura në mes të sezonit veror.