Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në orën 10:00 në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” lidhur me çështjen “Partizani”.
Përpara godinës së SPAK, ashtu si në herët e mëparshme, ishin mbledhur mbështetës të tij, të cilët pritën fjalën e liderit demokrat pas daljes nga prokuroria.
Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, janë nën hetim për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, një proces që SPAK e konsideron të dyshimtë dhe me elementë të veprës penale.
Berisha ka deklaruar më herët se vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për të lënë në fuqi masën e “detyrimit për paraqitje” është, sipas tij, një “krim kushtetues”.
Ai ka akuzuar prokurorët e SPAK se po veprojnë politikisht, duke kërkuar masa sigurie ndaj tij me justifikimin se ai ka sulmuar publikisht institucionet e drejtësisë së posaçme.
Kujtojmë se Sali Berisha qëndroi në arrest shtëpie për afro një vit, deri më 27 nëntor 2024, kur masa u zëvendësua me “detyrim paraqitje”. Ai vijon të mohojë akuzat dhe i ka cilësuar hetimet ndaj tij si të motivuara politikisht.