Policia e Tiranës vijon të ketë ende në kërkim, Griseldo dhe Albano Kusin, të cilët i morën jetën Indrit Çelajt 12 ditë më parë, pas një debati për shkak të një defekti me kondicionerin.
Sipas “Report tv”, ka dyshime se dy të rinjtë janë larguar në mënyrë ilegale në drejtim të Greqisë.
Antenat telefonike zbuluan se dy ditë pas vrasjes, vëllezërit Kusi ndodheshin në Vorë, ku arritën që t’i shpëtonin edhe një operacioni për kapjen e tyre.
Nuk dihet ende sesi kanë arritur t’u shpëtojnë kontrolleve të policisë, ndërsa 4 ditë më parë, forcat blu kishin marrë informacione në rrugë operative, se Albano dhe Griseldo Kusi ndodheshin në Korçë.
Aktualisht autoritetet shqiptare i kanë shpallur dy vëllezërit Kusi, kërkim ndërkombëtar.
Shoku i tyre, Lorenco Veliaj, në dëshminë e tij përpara hetuesve, ka përforcuar edhe më shumë dyshimet se ka qenë Griseldo Kusi ai që ka shkrepur armën në drejtim të Çelajt.
Në lidhje me këtë ngjarje, gjykata la në burg Bujar Kusin, Ferdinand Bakallin dhe Ali Sulën, ndërsa për Luan Cakën, organ i drejtësisë caktoi masën e sigurisë “Arrest shtëpiak”.
Të katër këta persona akuzohen për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.