Dr. Nertila Kodra Gora, mjeke anesteziste reanimatore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është ndarë nga jeta pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Humbja e saj ka lënë një boshllëk të madh jo vetëm për familjen, por edhe për kolegët dhe gjithë komunitetin mjekësor shqiptar.
Me një përvojë 27-vjeçare në Shërbimin e Kirurgjisë së Përgjithshme në QSUT, Dr. Nertila shquhej për profesionalizmin, humanizmin dhe përkushtimin e palëkundur ndaj pacientëve.
Në një mesazh të ndarë nga Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë, kujtohet forca, dinjiteti dhe guximi me të cilat ajo përballoi çdo sfidë të jetës, duke u bërë frymëzim për të gjithë ata që patën fatin të punonin pranë saj.
“Pas një beteje të gjatë dhe të vështirë, Nertila u largua duke lënë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm. Do të mbahet mend për dashurinë që përcillte dhe profesionalizmin e rrallë,” thuhet në deklaratën e Shoqatës.
Edhe QSUT ka shprehur ngushëllime të thella në një reagim publik, duke nënvizuar se Dr. Nertila ka qenë një figurë model në sistemin shëndetësor:
“Prej 27 vitesh, ajo shërbeu me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri të pakushtëzuar për pacientët. Në këtë moment të dhimbshëm, stafi i QSUT-së u shpreh ngushëllimet më të sinqerta vajzave të saj, bashkëshortit, prindërve, miqve dhe kolegëve.”
🕯️ Pusho në paqe, Dr. Nertila. Kujtimi yt do të jetojë me respekt dhe mirënjohje të përjetshme.