Vijon procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës, që sot hyn në ditën e shtatë të tij. Deri tani janë hapur dhe kontrolluar 771 nga gjithsej 1,282 kuti.
Nga të dhënat paraprake rezulton se ka pasur disa gabime në numërimin fillestar, por që sipas KQZ-së nuk kanë ndikuar ndjeshëm në rezultatin përfundimtar.
Partia Demokratike është subjekti që ka humbur më shumë vota gjatë rinumërimit, konkretisht 399 vota janë hequr nga rezultati i saj fillestar. Partia Socialiste gjithashtu ka humbur 302 vota të regjistruara gabimisht në favorin e saj.
Edhe partitë e vogla kanë pasur vota të pamerituara:
• Nisma “Shqipëria Bëhet” – 37 vota
• Partia Mundësia – 30 vota
• Lëvizja Bashkë – 30 vota
Ndërkohë, 29 vota janë shtuar në favor të koalicionit “Partia Euroatlantike e Lulzim Bashës”, të cilat rezulton se i ishin hequr padrejtësisht në numërimin e parë.
Në listën e kandidatëve individualë, më i prekuri nga zbritja e votave është Ilir Alimehmeti me 85 vota më pak. Ilir Meta ka humbur 59 vota, Myslim Murrizi 51, ndërsa Jorida Tabaku ka 69 vota të pamerituara që i janë hequr.
Në kampin e Partisë Socialiste, kandidati Ervin Hoxha kryeson për nga numri i votave të shtuara gabimisht, plot 263.
Pas tij vijnë Fatmir Xhafaj (129), Erion Braçe (129) dhe Xhemal Qefalia (123). Braçe ka reaguar ashpër ndaj vendimit të KAS, duke akuzuar institucionin për pavlefshmëri të qëllimshme të votave të tij, të cilat sipas tij janë të rregullta dhe pasqyrojnë qartë vullnetin e qytetarëve.
Ndërkohë, anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, Koli Bele, u shpreh për mediat se procesi i rinumërimit është thjesht një procedurë administrative dhe nuk mund të quhet hetim penal. Ai shtoi se nuk është kompetencë e KAS të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me krim zgjedhor apo gabim njerëzor.
Rezultati përfundimtar për qarkun e Tiranës pritet të shpallet deri të hënën. Më pas, do të vijojë rinumërimi i kutive të qarkut Fier dhe pjesërisht atyre të Durrësit.