Një armëpushim i shumëpritur mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në fuqi mëngjesin e së martës, pas shpalljes nga presidenti amerikan Donald Trump mbrëmjen e së hënës.
Sipas marrëveshjes së publikuar nga Trump në rrjetin e tij “Truth Social”, armëpushimi do të zgjasë 12 orë dhe përfshin një ndalim të përkohshëm të luftimeve nga të dyja palët, përpara se konflikti të konsiderohet i mbyllur zyrtarisht pas 24 orësh.
Por pavarësisht deklaratës të Trump, orët që pasuan shpalljen e armëpushimit u shënuan nga tension dhe sulme të reja.
Sirenat e alarmit ranë në Tel Aviv, Jerusalem dhe në zona të tjera të Izraelit, ndërsa shtatë persona u vranë në një sulm me raketa në Beer Sheva.
Të paktën 22 të tjerë mbetën të plagosur, dy prej tyre në gjendje të rëndë. Agjencia iraniane e lajmeve “Fars” njoftoi më pas se armëpushimi hyri në fuqi në orën 07:30 me orën lokale.
Trump, në reagimin e tij, u bëri thirrje palëve që të mos e shkelin marrëveshjen: “Ju lutem, mos e prishni këtë moment historik.” Ai shtoi se nëse të dy vendet respektojnë paktin, lufta 12-ditore do të përfundojë pa kthim.
Megjithatë, qëndrimi zyrtar i Iranit nuk ka qenë aq i qartë. Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se nuk ka asnjë marrëveshje zyrtare për armëpushim dhe se çdo ndërprerje e operacioneve do të varet nga veprimet e Izraelit.
“Nëse agresioni i Izraelit ndalon deri në orën 4 të mëngjesit, atëherë edhe ne nuk do të vazhdojmë më,” shkroi ai në rrjetin “X”. Ai theksoi se është Izraeli që e nisi luftën, jo Irani, dhe se përgjigja do të vazhdojë derisa agresioni të përfundojë.
Ndërkohë, qeveria izraelite ka pranuar propozimin për armëpushim. Zyra e Kryeministrit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli do të respektojë marrëveshjen, por do të reagojë menjëherë ndaj çdo shkeljeje.
Në deklaratë thuhej gjithashtu se operacionet e deritanishme kishin arritur objektivin: “Eliminimi i kërcënimit bërthamor dhe balistik të Iranit, si dhe shkatërrimi i dhjetëra objektivave kyçe të qeverisë iraniane”.
Izraeli falënderoi presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen në këtë operacion dhe theksoi se armëpushimi është vendosur në kordinim të plotë me Uashingtonin.
Nëse marrëveshja do të zbatohet, kjo mund të shënojë fundin e një prej përballjeve më të rënda mes Izraelit dhe Iranit në dekada, por për momentin, situata mbetet e pasigurt.