Sëmundjet e zemrës vazhdojnë të jenë shkaktari kryesor i vdekjeve në Shqipëri, duke mbajtur një peshë të rëndë në statistikat kombëtare të shëndetit publik.
Të dhënat më të fundit nga INSTAT tregojnë se në vitin 2024, 52.9% e të gjitha vdekjeve në vend kishin si shkak sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, një rritje krahasuar me vitin 2023, kur kjo shifër ishte 51.7%.
Por cilët janë faktorët që ndikojnë më shumë në shfaqjen e këtyre sëmundjeve?
Sipas mjekes kardiologe Nevila Çaushi, një sërë faktorësh të njohur rrisin ndjeshëm rrezikun për probleme kardiovaskulare.
“Shkaqet kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare janë disa. Kryesisht janë mosha, yndyrnat e larta, hipertensioni, diabeti i sheqerit, pirja e duhanit, jeta sedentare, pirja e alkoolit, obeziteti”, shpjegon ajo për Vizion Plus.
Kardiologia thekson se rastet me komplikacione të zemrës po shfaqen gjithnjë e më shpesh edhe te moshat e reja, të cilat janë të ekspozuara ndaj faktorëve të rrezikut si pijet energjike dhe substancat stimuluese.
“Pacientët me sëmundje kardiovaskulare vijnë që në moshë të re. Kemi pasur raste kur pacientët kanë qenë rreth moshës 40 vjeç me infarkte. Moshat e reja konsumojnë shumë pijet energjike, një ndër faktorët e riskut. Ndërsa këta të rinj që konsumojnë kafe apo droga të ndryshme, kanë një probabilitet shumë më të lartë për të pasur probleme kardiovaskulare sesa personat që nuk i konsumojnë. Një shqetësim në kraharor ndryshe nga normalja, një peshë, një dhimbje në kraharor, një ndjesi menjëherë të drejtohen te kardiologu për të bërë një vlerësim të zemrës apo edhe të enëve të gjakut.”
Ajo thekson gjithashtu se periudhat me temperatura të larta përkeqësojnë gjendjen shëndetësore të pacientëve me probleme të zemrës, për shkak të luhatjeve të tensionit dhe ndryshimeve në qarkullimin e gjakut.
“Të bëjnë një jetë sa më aktive, një jetë me aktivitet fizik, të mos konsumohet duhani, alkooli. Në periudhën e verës, pacientët kanë probleme më shumë sa i takon luhatjeve të vlerave të tensionit apo gjendjes së përgjithshme. Vetë temperaturat e larta zgjerojnë enët e gjakut dhe bëjnë që të bjerë edhe tensioni. Pirja e ujit, qëndrimi në ambiente të freskëta.”
Gjatë vitit 2024 janë regjistruar gjithsej 22.102 vdekje në Shqipëri, një rritje prej 3.8% në krahasim me një vit më parë, duke e bërë edhe më të rëndësishme ndërhyrjen parandaluese dhe informimin e publikut për rreziqet që lidhen me shëndetin kardiovaskular.