Tre persona të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe janë përballur këtë të shtunë me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për të gjithë.
Bëhet fjalë për Ado Xhikën (i njohur edhe si Ado Cërriku apo Elkier Cërriku), Ervis Dakën dhe Maksim Koçin, të cilët akuzohen për përfshirje në një sërë veprash të rënda penale, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që, sipas SPAK, është i lidhur me grupin e Talo Çelës.
Sipas hetimeve, Ervis Daka ka siguruar logjistikën për një atentat ndaj Arjan Spahiut në Belgjikë dhe ka ndihmuar në ndjekjen e lëvizjeve të Kei Piut, në një tjetër tentativë vrasjeje.
Maksim Koçi dyshohet si autor i dy vrasjeve dhe për përgatitjen e kushteve për të kryer edhe dy të tjera. Ai gjithashtu akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe mbështetje të autorëve të krimit.
Ado Xhika akuzohet për përkrahje të autorëve të një sulmi me snajper ndaj Ardian Çapjas, i cili i mbijetoi atentatit.
Në vitin 2024, GjKKO-ja kishte caktuar masat e njëjta për secilin prej tyre, sipas veprave penale për të cilat akuzohen, duke përfshirë vrasjen me paramendim, sigurimin e mjeteve për vrasje, mbajtjen pa leje të armëve dhe përkrahjen e autorit të krimit në kuadër të grupit kriminal.